Pas Memetit dhe gjyqtari suprem Georgiev u pajtua me prokurorinë për akuzën e ryshfetit

Pasi që Ixhet Memeti, anëtari i Këshillit të Prokurorëve Publikë e pranoi fajësinë dhe kishte lidhur marrëveshje me prokurorinë, pas së cilës u dënua me kusht, Prokuroria zbuloi se edhe gjyqtari suprem Nake Georgiev ka paraqitur propozim për marrëveshje, transmeton Portalb.mk.

“Prokurori Publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit sot ka lidhur Propozim – marrëveshje me të dyshuarin N.G. për të cilin ekzistonte dyshimi i bazuar se kishte kryer vepër penale Marrja e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm nga n.359 paragrafi 7 të Kodit Penal. Me nënshkrimin e propozim-marrëveshjes, i dyshuari N.G. nuk e konteston se e ka kryer veprën penale dhe duke marrë parasysh dënimin me burg nga një deri në dhjetë vjet për këtë vepër, ka pranuar të dënohet me burgim prej tre vjetësh, si dhe me ndalim të ushtrimit të profesionit për një periudhë tre vjeçare”, thanë nga Prokuroria.

Nga prokuroria shtojnë se në dënim do të llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim dhe menjëherë do të urdhërohet vuajtja e dënimit me burg.

“Në të njëjtën kohë, duke qenë se ai ka keqpërdorur profesionin, veprimtarinë ose detyrën e tij me qëllim të kryerjes së veprës penale dhe në bazë të natyrës së krimit të kryer dhe rrethanave në të cilat është kryer, mund të pritet që ai të abuzojë me këtë veprimtari gjykata do t’i shqiptojë dhe Ndalimin e ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës së zyrtarit për një periudhë tre vjeçare. Gjithashtu, dëshmitarit do t’i kthehen kartëmonedhat e përpunuara penalisht të cilat janë gjetur në PMV-në e të dyshuarit, ndërsa 5000 euro të mbetura do t’i konfiskohen për buxhetin e RMV-së si të ardhura të veprës penale”, thonë nga Prokuroria.

Memeti dhe Georgiev akuzohen në rastin se kanë marrë 10.000 euro për t’ia lehtësuar pozitën kryetarit Boro Stojçev, ndaj të cilit ka filluar procedura penale.

Ndryshe, Ixhet Memeti në KShPK ka raportuar dy llogari kursimi në valutë në emër të bashkëshortes dhe dy kredi në emër të tij, të marra në vitet 2020 dhe 2019, nga 14.2 mijë euro dhe 59 mijë euro secila, për të cilat nuk ka dhënë informacion se deru kur duhet t’i kthejë.

Para se t’i caktohet paraburgimi, Këshilli Gjyqësor në një seancë urgjente, ia hoqi imunitetin Georgievit, miratoi kërkesën për paraburgim dhe vendosi largimin e tij nga vendi i punës deri në vlefshmërinë e procedurës kundër tij.