Papa Leoni takoi presidentin palestinez, bën thirrje për zgjidhjen me dy shtete

Papa Leoni XIV priti të enjten në Vatikan presidentin palestinez Mahmoud Abbas, në takimin e tyre të parë ballë për ballë që prej zgjedhjes së Papës me origjinë nga Çikago në maj. Dy liderët kishin komunikuar më herët vetëm nëpërmjet telefonit, raporton Klan.

Takimi, që zgjati rreth një orë dhe u përshkrua nga Selia e Shenjtë si “i përzemërt”, u fokusua në krizën humanitare në Rripin e Gazës dhe në nevojën urgjente për zgjidhje me dy shtete, që sipas Vatikanit mbetet rruga e vetme reale drejt paqes midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Bisedimet u zhvilluan gati një muaj pas armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-të, i cili solli një qetësi të brishtë pas dy vitesh konflikti që nisi pas sulmit terrorist të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Sipas deklaratës së Vatikanit, të dy udhëheqësit ranë dakord për “nevojën urgjente për ndihmë ndaj civilëve në Gaza” dhe për “përfundimin e konfliktit përmes një zgjidhjeje me dy shtete”, që do të krijonte një shtet të pavarur palestinez pranë Izraelit.

Vizita e Abbasit përkoi edhe me 10-vjetorin e Marrëveshjes së Gjithëpërfshirëse të nënshkruar në vitin 2015 mes Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Palestinës — dokument që e bëri Vatikanin një nga shtetet e para që njohu zyrtarisht shtetësinë palestineze.

Presidenti Abbas, që drejton Autoritetin Palestinez – i cili administron pjesërisht Bregun Perëndimor, por nuk ushtron kontroll në Gaza – mbërriti në Romë të mërkurën dhe vizitoi Bazilikën e Santa Maria Maggiore, ku vendosi lule mbi varrin e Papa Françeskut, të cilin e quajti “mik të madh të Palestinës”.

Papa Leoni, ashtu si paraardhësi i tij Françesku, ka mbështetur të drejtat e palestinezëve, por me një ton më të kujdesshëm ndaj Izraelit. Ai ka dënuar zhvendosjet e detyruara të civilëve dhe ka bërë thirrje për ndihmë të vazhdueshme humanitare, por pa e cilësuar ofensivën izraelite në Gaza si “gjenocid” – siç kishte bërë Papa Françesku në fund të pontifikatit të tij.

Selia e Shenjtë vijon të mbrojë idenë e zgjidhjes me dy shtete, që edhe pse mbetet shtylla kryesore e diplomacisë ndërkombëtare dhe e mbështetur nga OKB-ja e shumica e qeverive botërore, po humbet terren në rajon.

Sondazhet e fundit tregojnë se shumica e izraelitëve dhe palestinezëve nuk e shohin më të mundshme një zgjidhje të tillë, ndërsa brenda Palestinës është rritur mosbesimi ndaj Autoritetit Palestinez dhe mbështetja për Hamasin — që së fundmi ka zbutur disi qëndrimin e tij, por ende kërkon krijimin e një shteti palestinez në vend të Izraelit.