Padi ndaj një pjesëtari të policisë së Maqedonisë së Veriut pasi ka keqpërdorur nënshkrimin e shefit

Një punonjës policor akuzohet se vitin e kaluar ka keqpërdorur nënshkrimin e shefit të Stacionit Policor në Tetovë, vepër e dënueshme në bazë të nenit 353 nga Kodi Penal, transmeton Portalb.mk.

“Në shtator të vitit 2023, nëpunësi  i raportuar policor  duke kryer detyrat e punës si dokumentarist, duke tejkaluar autorizimin zyrtar, ka përgatitur një akt zyrtar me përmbajtje të rreme, duke keqpërdorur nënshkrimin e shefit të Stacionit Policor Tetovë”, raportoi Policia e Maqedonisë së Veriut.

I akuzuari D.M. dyshohet për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar”, pasi ka keqpërdorur procedurat për pranimin e dokumenteve zyrtare dhe i ka dorëzuar avokatit një dokument me përmbajtje të pavërteta. Ky dokument pastaj është keqpërdorur në procedurat gjyqësore në Gjykatën Themelore të Tetovës, duke e dëmtuar procesin gjyqësor.

“Pas përgatitjes së dokumentit, nëpunësi policor ka keqpërdorur nënshkrimin e drejtuesit, ka futur një numër të papërshtatshëm dosjeje dhe e ka dorëzuar dokumentin si të tillë, në kundërshtim me procedurat e përcaktuara”, raportoi Policia.