Osmani në Forumin Rinor: Vendosmëria e të rinjve mund të nxisë ndryshime

Në prani të përfaqësuesve të të rinjve nga vendet pjesëmarrëse në OSBE, Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në Qendrën Edukative M6 në Shkup e hapi Konferencën për të rinjtë, e cila mbahet me temën “Inovacionet dhe Sipërmarrja Rinore: Krijimi i një të ardhmeje të qëndrueshme në rajonin e OSBE-së”, transmeton Portalb.mk.

Konferenca organizohet në kuadër të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me Organizatën, ndërsa gjatë sesioneve interaktive pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të gjejnë zgjidhje inovative për zgjidhjen e problemeve sociale dhe ekologjike në komunitetet e tyre.

Në fjalimin e tij, Osmani theksoi se përfshirja e të rinjve është kyçe për rolin e OSBE-së në promovimin e paqes dhe sigurisë, edhe atë nga Akti i Helsinkit i vitit 1975 kur vendet pjesëmarrëse u zotuan t’i përfshijnë të rinjtë “duke iu referuar në mënyrë të veçantë problemeve madhore të njerëzimit, zgjidhja e të cilave kërkon qasje të përbashkët dhe bashkëpunim më të gjerë ndërkombëtar”.

Ai shtoi se ky angazhim edhe më tej është garanci se OSBE-ja është një platformë për forcimin e zërave të brezave që do të vijnë.

“Fuqizimi i të rinjve është një nga prioritetet tona kryesore. Maqedonia e Veriut dhe rajoni ynë kanë dobi nga bashkëpunimi dhe iniciativat rinore rajonale që promovojnë kulturën e dialogut, tolerancës dhe pajtimit. Duke pasur parasysh se bota e sotme po ballafaqohet me kaq shumë sfida, me gjithë zemër besoj se të rinjtë janë investimi më i mirë për të ardhmen”, tha Osmani.

Ai e shfrytëzoi rastin që ta falënderojë edhe Përfaqësuesin e tij Special për të Rinjtë, Memet Zhakun, për energjinë dhe përkushtimin, gjë që e përmbush rolin e tij dhe theksoi se ruzultati i punës së të rinjve është vetë forumi i sotëm rinor.

Duke folur për rëndësinë e përfshirjes interaktive të të rinjve edhe në nivel institucional, ai theksoi se rezultatet, idetë dhe rekomandimet e të rinjve do të jenë pjesë e agjendës së Këshillit të Ministrave, organit më të lartë vendimmarrës, që do të mbahet në fund të këtij muaji në Shkup.

“Në kuadër të OSBE-së, të rinjtë jo vetëm që mund të flasin, por zëri i tyre të dëgjohet me të vërtetë, ndërsa energjia e tyre, idealizmi dhe vendosmëria do të mund të nxisë ndryshimin dhe të detyrojë zgjidhje për sfidat e shumta të vështira me të cilat përballemi bashkërisht”, tha Osmani.

Në fund të fjalës së tij, Osmani shtoi se dialogu është kyç dhe qëndron në zemër të Organizatës, përkatësisht dialogu ndërmjet të rinjve, ndërmjet brezave, ndërmjet vendeve, përtej kufijve, nëpër kontinente.

“Ne duhet ta dëgjojmë njëri-tjetrin, t’i respektojmë mendimet e ndryshme, të bashkëpunojmë për qëllime të përbashkëta, t’i përfshijmë të gjithë. Sepse të rinjtë nuk janë vetëm përfitues të veprimeve tona, por edhe partnerë në misionin tonë si OSBE, janë vlerat dhe parimet tona dhe roli ynë si platformë unike për dialog”, përfundoi Osmani.

Maqedonia e Veriut mori kryesimin e OSBE-së në janar të vitit 2023. Kryesimi i organizatës më të madhe rajonale të sigurisë në botë është i përqendruar në operacionet në terren të OSBE-së dhe kontributin e tyre në përmirësimin e jetës së njerëzve dhe bashkëpunimin me institucionet kombëtare. Nën sloganin “Fjala është për njerëzit”, Kryesimi i Maqedonisë së Veriut i është përkushtuar sigurisë njerëzore në një epokë të pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë rajonale dhe globale.

Ministri Osmani, në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, realizoi numër të madh të vizitave në terren në vendet pjesëmarrëse në OSBE, duke filluar nga Ukraina, si prioritet kryesor i Organizatës dhe kryesimit, pastaj vendet e Kaukazit Jugor, Ballkanit Perëndimor, si dhe vendet e Azisë Qendrore.