Osmani iu ankua disa ambasadorëve të huaj për kompromentimin e zgjedhjeve

Ministri në largim i Punëve të Jashtme Bujar Osmani dje përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se është takuar me ambasadorë të katër vendeve të huaja. Në postim, Osmani shkruan se ka shprehur shqetësimin për kompromentimin e procesit zgjedhor para ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Holandës, transmeton Portalb.mk.

“Takova sot Ambasadorët e SHBA, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Holandës. Shpreha shqetësimin për kompromitimin e procesit zgjedhor nga vendimet arbitrare të KSHZ-së më qëllim vjedhje të vullnetit zgjedhor duke bërë inzhiniering politik me vendimet për rivotim. Gjithashtu shpreha domosdoshmërinë e respektimit të marrëveshjes së Ohrit, Prespës dhe të ardhmes evropiane të vendit”, shkroi Osmani në Facebook.

Në takime shefi i diplomacisë shprehu edhe domosdoshmërinë e respektimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe të ardhmes evropiane të vendit.

Koalicioni “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI-ja dje njoftoi se do t’i ankimojë në Gjykatën Administrative vendimet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për kundërshtimet në lidhje me rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare që i referohen njësisë së pestë dhe të gjashtë zgjedhore. Nga aty dolën me mendimin se anëtarët e KSHZ-së i janë nënshtruar presioneve politike përmes udhëzimeve partiake lidhur me kundërshtimet dhe, siç thanë, për këtë kanë njoftuar të gjitha institucionet kompetente dhe faktorin ndërkombëtar.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) pranoi shtatë nga gjithsej 27 ankesa të paraqitura lidhur me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare. Njëri prej tyre ishte i koalicionit “Vlen” për votim në një qendër votimi në Zhelinë.

Kujtojmë se sipas rezultateve fillestare zyrtare për zgjedhjet parlamentare të shpallura nga KSHZ, Koalicioni “Maqedonia juaj” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka fituar 58 mandate parlamentare, e ndjekur nga Koalicioni “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI me 19 mandate parlamentare, Koalicioni Për një të ardhme evropiane të udhëhequr nga LSDM me 18, Koalicioni VLEN me 13 dhe Lëvizja ZNAM për Maqedoninë tonë dhe të majtën pas gjashtë mandateve parlamentare.

Për rezultatet e zgjedhjeve, në KSHZ janë dorëzuar 27 ankesa – nëntë nga koalicioni “Vlen”, tetë nga VMRO-DPMNE, pesë nga LSDM dhe katër nga e Majta. Kryetari i KSHZ-së, Dashtevski, në seancën e KSHZ-së theksoi se bëhet fjalë për ankesa grupore në disa vendvotime.

Koalicioni “Fronti Evropian”, i udhëhequr nga BDI, pretendon se partitë politike maqedonase në koordinim me koalicionin “Vlen” dëshirojnë t’i heqin një deri në dy mandate parlamentare përmes KSHZ-së.