Orkestra e cila me notat e Ballkanit fshin kufijtë

“No Borders Orchestra” është zgjedhur “Kampione e bashkëpunimit rajonal” për promovimin e artit dhe përdorimin e muzikës si gjuhë universale me të cilën promovon pajtimin në një rajon të larmishëm kulturor, raporton Koha.net. “No Borders Orchestra” është fituese e çmimit “Kampione e bashkëpunimit rajonal Dr Erhard Busek“ për vitin 2022, kanë njoftuar Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe Ministria Federale për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare e Republikës së Austrisë.

“Këtë vit, juria kishte detyrë të vështirë që prej një numri të madh nominimesh të shkëlqyeshme që kemi pranuar, të përcaktohet për një fitues. ‘No Borders Orchestra’ është veçuar për nismat e shkëlqyera dhe meritore për atë që tash e saj vjet, e paraqet Ballkanin Perëndimor në mënyrën më pozitive e melodike”, ka thënë Majlinda Bregu, sekretarja e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) në ceremoninë e ndarjes së çmimit.

Sipas saj, orkestra e ka marrë këtë çmim “për atë që nëpërmjet artit si mjet i ndikimit pozitiv në komunitet bashkon artistë e adhurues të muzikës prej të gjitha pjesëve të rajonit; për atë se promovon artin, bashkimin e urtësinë nëpërmjet notave më të bukura dhe kështu fshin kufijtë midis nesh”.

Në mesin e kandidaturave të shumta juria në përbërje të Goran Svilanoviqit, ish-Sekretar i përgjithshëm i Këshillit, Asja Krsmanoviq, udhëheqëse e programit garues të Festivalit të Filmit në Sarajevë dhe Umut Ergezer, koordinator i strategjisë “Evropa Juglindore 2030” dhe analistit të politikave ekonomike në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, unanimisht e kanë shpallur “No Borders Orchestran”, fituese të çmimit.

“Është fakt që ‘No Borders Orchestra’ është bërë kampioni i ri i bashkëpunimit rajonal, që është edhe më e ndjeshme kur dihet roli i madh që ka pasur muzika në jetën e dr. Erhard Busek, në nderim të të cilit ndahet ky çmim e i cili ka bashkëpunuar personalisht me orkestrën”, ka thënë Thomas Stoelzl, zëvendësdrejtor për temat e përgjithshme evropiane në Ministrinë Federale për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë.

Ansambli muzikor jokonvencional

“No Borders Orchestra” s’është një ansambël konvencional muzikor, por vepron si një fuqi transformuese rajonale në Ballkan. Duke e përdorur muzikën si gjuhë universale, orkestra promovon pajtimin në një rajon të larmishëm kulturor. Qysh prej themelimit më 2012, me koncerte dhe të tjera pjesëmarrje, ka lënë gjurmë gjithandej në Ballkanin Perëndimor. Përbëhet nga muzikantë prej krejt grupeve etnike e fetare të rajonit të cilët koncertojnë jo vetëm në salla koncertesh të muzikës klasike por edhe në hapësira jokonvencionale dhe kësisoj e bëjnë muzikën e tyre të qasshme për secilin. Pjesëmarrjet e kësaj orkestre në festivale me nam gjithandej Evropës, dëshmojnë fuqinë e pajtimit që kapërcen krejt kufijtë rajonalë.

Për rëndësinë në krejt hapësirën ballkanike por edhe në Evropë, në kontekstin kulturor e politik, Premil Petroviq, drejtor artistik e themelues i orkestrës, thotë se “No Borders Orchestra” është “shembull se si njerëzit mund të bëhen bashkë dhe ku shpie një gjë e tillë”.

“Rezultatet kulmore në muzikë janë të mundshme vetëm atëherë kur veprojmë bashkë. Në rajonin tonë emocionet që dominojnë janë frika prej tjetrit e të ndryshmit dhe urrejtja. ‘No Borders Orchestra’ u kundërpërgjigjet me gëzim, gëzimin e të qenit bashkë. Ai gëzim, shihet e dëgjohet në performancat tona”, ka thënë Petroviq. “Publiku në koncertet tona nuk ulet e debaton apo dëgjon për aspektet pozitive të pajtimit e të bashkëpunimit, por e ka shembullin e gjallë para vetes. Dhe ai bashkim që përjetohet është infektues. Përvoja është diçka prej së cilës njeriu del ndryshe. Koncertet e ‘No Borders Orchestra’ për publikun janë përvojë e gëzimit të të qenët bashkë. Në atë gëzim ka urtësi jetësore sepse bashkimi ynë është i bazuar në dashuri. Nëse e vështroni botën dhe situatën në të cilën gjendet, është e qartë që konfliktet, agresioni e primitivizmi që i kemi këtu në rajon, janë të pranishme në krejt botën. Në këtë kuptim ‘No Border Orchestra’ nuk është vetëm lokale, por edhe globale”, ka thënë Petroviq.

Sipas tij, orkestra e ka përzgjedhur muzikën si përgjigje ndaj problemeve e sfidave me të cilat përballet bota.

“Vazhdojmë misionin tonë me besimin se duke inkurajuar lirinë e shprehjes, kreativitetin dhe diversitetin, mund t’u japim hapësirë ​​dialogut, mendimit kritik dhe shkëmbimit të ideve”, ka thënë Petroviq.

Në të ardhmen “No Borders Orchestra” planifikon të zgjerojë misionin e vet dhe të ketë shtrirje më të gjerë në shoqëri e në art, sikurse edhe të themelojë një festival multidisiplinar me synimin që të kapërcejë ndarjet kulturore me krijimtari të përbashkët.

Platforma multikulturore

“No Borders Orchestra” është platformë muzikore multikulturore që arrin cilësinë më të lartë artistike dhe nxit një lloj të ri komunikimi. Si projekt multidisiplinar, ka për qëllim të kapërcejë ndasitë kulturore nëpërmjet krijimtarisë së përbashkët, duke balancuar suksesshëm përsosmërinë muzikore me ndërgjegjësimin gjithëpërfshirës në shoqëri.

Përbehet prej muzikantëve profesionistë të Ballkanit Perëndimor. U themelua prej dëshirës që të bëhet një orkestër rajonale simfonike përtej kufijve, që sjell nivelin më të lartë artistik. Bazohet në themele parësore: muzikë dhe shoqëri.

Sipas ueb-faqeve zyrtare, “No Borders Orchestra” si organizatë joqeveritare qe themeluar në vitin 2012 në Beograd dhe Berlin, me qëllim të inicimit të zhvillimit pozitiv shoqëror nëpërmjet fuqisë së pajtimit dhe bashkëpunimit kreativ.

Duke kërkuar mënyra për dekonstruktim dhe transformim komunitetesh, duke nxitur ndryshime pozitive dhe duke angazhuar shoqëritë për t’u bërë më gjithëpërfshirëse, ndërkulturore, demokratike dhe të hapura, “No Borders Orchestra” shërben si një platformë për t’i kapërcyer nacionalizmin, racizmin, ksenofobinë, homofobinë dhe trashëgiminë e përgjakshme të së kaluarës në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.

“No Borders Orchestra” ka pasur koncerte të shumta në festivale në rajonin e Ballkanit ashtu sikurse dhe turne e kritika pozitive nga mbarë bota – në Vjenë, Bruksel, Paris, Rotterdam, Marsejë, Australi, Kore të Jugut, Kinë e në vende të tjerë të botës.

Ka nënshkruar një marrëveshje ekskluzive me “Universal Music” për albumin e parë, “The Opening“, që është lansuar me siglën e “Deutsche Grammophon”, botuesin më të madh botëror për muzikë klasike.

Orkestra prestigjioze ballkanike ka paralajmëruar për vjeshtë projektin e ri të quajtur “Embracing Vulnerability“. Tema është përzgjedhur si përgjigje ndaj problemeve dhe sfidave me të cilat përballet bota viteve të fundit, prej pandemisë deri te lufta në Ukrainë.