Orban pretendon se Qeveria polake është instaluar nga BE-ja

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka sugjeruar se Qeveria e Polonisë dhe kryeministri, Donald Tusk, janë instaluar nga Bashkimi Evropian si pjesë e një komploti për të larguar udhëheqjen paraprake populiste të krahut të djathtë në Poloni, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Orbani nuk ofroi asnjë dëshmi për këtë pretendim lidhur me Qeverinë polake, e cila u zgjodh më 2023 pas zgjedhjeve ku morën pjesë 74 për qind e votuesve.

Komentet vijnë dy ditë pasi Orban, nacionalist i cili ka qasje kundërshtuese ndaj BE-së, gjatë një fjalimi u tha mbështetësve të tij se blloku evropian po synon që ta rrëzojë Qeverinë e tij dhe të instalojë një regjim kukull në Hungari.

Duke folur për radion shtetërore hungareze më 25 tetor, Orban kritikoi presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe udhëheqësin e grupit më të madh politik në BE, Partinë Popullore Evropiane, Manfred Weber, duke pretenduar se këta dy zyrtarë po synojnë ta zëvendësojnë Qeverinë e tij, ashtu siç, sipas tij, kishin vepruar në Poloni më 2023, kur koalicioni i udhëhequr nga Tusku mposhti partinë Ligj dhe Drejtësi – që paraprakisht kishte qenë në pushtet – në zgjedhjet parlamentare.

“Ky nuk është as konspiracion sekret kundër Hungarisë, por është një plan i paraqitur hapur”, tha Orban, duke pretenduar se ka një komplot kundër tij, pa ofruar asnjë dëshmi për këtë pretendim. “E njëjta gjë ndodhi në Poloni. Polakët po ashtu ndërmorën një politikë të pavarur sa i përket migracionit, gjinisë dhe ekonomisë”.

Von der Leyen dhe Weber, tha ai, “bënë më të mirën e tyre dhe hapur njoftuan se Qeveria konservatore polake duhet të shkojë dhe të zëvendësohet me një të re. Kështu, miku ynë Tusk u bë kryeministër në Poloni. I njëjti skenar tani po ndodh në rastin e Hungarisë”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Polonisë, Pawel Wronski, në një përgjigje për Associated Press tha:

“Zgjedhjet e lira parlamentare u mbajtën në Poloni më 15 tetor 2023. Qeveria aktuale në Poloni, sikurse edhe qeveritë paraprake, nuk është instaluar, por është zgjedhur dhe është shprehje e vullnetit të votuesve polakë”.

Orbani shpesh është përplasur me BE-në, teksa Brukseli ka bllokuar ndihmë financiare në vlerë prej miliarda eurosh për shkak të akuzave se ka shkelur standardet demokratike dhe të sundimit të ligjit. Qeveria paraprake polake nacionaliste-konservatore po ashtu për vite të tëra kishte pasur mosmarrëveshje me BE-në sa i përket nivelit të demokracisë.

Orban gjithnjë e më shumë ka një qasje më agresive ndaj bllokut evropian, ku Hungaria u bë anëtare më 2004. Udhëheqësi hungarez ka mbledhur partitë euroskeptike në mbarë bllokun dhe ka krijuar një forcë politike të krahut të djathtë në Parlamentin Evropian. Ai po ashtu e ka afruar Hungarinë më afër shteteve autokratike, sikurse janë Rusia dhe Kina.

Qeveria e Tuskut po kërkon që të rivendosë institucionet demokratike, që thotë se ishin shpërbërë gjatë ekzekutivit paraprak. Por, ekzekutivi i tij mban ende disa politika konservatore, sikurse është qëndrimi i ashpër ndaj imigrimit të paligjshëm.