“Omnivore” seriali i vlerësuar i kuzhinierit me famë botërore Rene Rexhepit me origjinë nga Tetova

Seriali dokumentar i krijuar nga shefi i kuzhinës Rene Rexhepi, përbëhet nga një sezon me tetë episode. Seriali eksploron kultivimin, transformimin dhe konsumimin e tetë prej përbërësve më thelbësorë në botë, transmeton Portalb.mk

U deshën më shumë se 10 vite për të sjellë në jetë një seri gjithëpërfshirëse me tetë episode që udhëtojnë në botën e përbërësve të përditshëm. Pritja ka përfunduar më 19 qershor kur ka filluar të shfaqet spektakli televiziv që mban mbërthyer plot njerëz para ekraneve pavarësisht nëse janë ose jo omnivorë.

“Omnivore” përmban zërin (dhe praninë e shkurtër) të shefit të restorantit më të famshëm në botë “Noma” Rene Rexhepit me origjinë nga Tetova.

Ai tregon se nuk i ka shumë qejf mediat.

“Më ftuan të dilja në TV disa herë, por kurrë nuk u binda. Një ditë, fillova të mendoja se si do të ishte nëse do të zhvilloja një serial. Ajo që më erdhi në mendje ishin dokumentarët e mrekullueshëm të natyrës që i kam dashur si fëmijë dhe i dua edhe sot me zërin qetësues dhe frymëzues të David Attenborough. Dhe mendova: A mund të kemi një spektakël ushqimor me përfshirjen, përkushtimin dhe kujdesin që na jep Planeti Tokë”, kujton ai.

Ideja për serialin filloi të merrte formë rreth vitit 2010, por vetëm pas pandemisë projekti mori vrull. Rexhepi ftoi skenaristin dhe producentin ekzekutiv fitues të çmimit Emmy, Matt Goulding, të Anthony Bourdain’s Parts Unknown, t’i bashkohej projektit dhe pas katër vjetësh, më në fund u realizua.

Nëpërmjet tetë ushqimeve që përbëjnë mënyrën se si ushqehemi sot në botë – speci djegës, banania, kafja, misri, mishi i derrit, orizi, kripa dhe toni. “Omnivore” propozon një odiseadë që përfshin globin duke shpalosur historitë frymëzuese pas këtyre përbërësve. Nga një shkollë në një fshat të vogël rural në Spanjën perëndimore në plantacionet e kafesë në Ruandë, deri te një fermë bananesh në Kerala në fabrikën Tabasco në Luiziana, seriali synon të tregojë mënyrat e ndërlikuara me të cilat prodhohet dhe konsumohet ushqimi dhe se si këto kanë ndryshuar historinë e njerëzimit.

Segmenti që rrëfen rëndësinë e kafesë si një përbërës i domosdoshme në jetën tonë të përditshme është një shembull kryesor. Episodi ndjek Arthur Karuletwa, një ekspert i kafesë i cili shpjegon se si kokrra e kafesë e transformoi realitetin e tij dhe të shumë njerëzve në vend. Nga prezantimi i bimëve të para të kafesë nga misionarët gjermanë dhe gjenocidi që shkatërroi Ruandën në vitet 1990 e deri te rigjallërimi i fundit i industrisë, seriali tregon se si kafeja u ka dhënë shpresa të reja shumë fermerëve.

“Është dëshmia se sa ndikim mund të ketë një përbërës për një komb, si negativisht ashtu edhe pozitivisht”, thekson Rexhepi.

omnivore, fotografi e marrë nga Apple TV ku transmetohet seriali
omnivore, fotografi e marrë nga Apple TV ku transmetohet seriali

“Ushqimi nuk është kurrë vetëm ushqim”, siç e përsërit ai shpesh në serial.

Sipas Goulding, “Omnivore” është me të vërtetë historia e njerëzve të jashtëzakonshëm në vijën e parë të sistemit tonë ushqimor – atyre që i përkushtohen ushqimit të botës. Kur po mendonim për episodet e serialit, më kujtohet që i shkruajta Matt dhe bëja shaka: ‘Të kujtohet ‘’Jiro Dreams of Sushi’’, një dokumentar ushqimor i vlerësuar me çmime? Si thua të krijosh një Rene Dreams of Chili?'” qesh ai. Jo rastësisht, seriali arrin kulmin me një epifani pikante në restorantin Noma.

Pasi ka arritur majat e botës gastronomike me “Noma” një restorant që ka kryesuar listat e restoranteve më të mira dhe ka fituar çmime të shumta gjatë historisë së tij 20-vjeçare, Rexhepi largohet nga kuzhina e shijshme ku përfundojnë ushqimet dhe fokusohet në origjinën e tyre.

Seriali nxjerr në pah ekosistemin më të gjerë të fermerëve dhe kultivuesve në mbarë botën, duke synuar të frymëzojë shikuesit që të vlerësojnë më thellë ushqimin. Duke u përqendruar në historitë e përbërësve dhe njerëzve pas tyre, “Omnivore” thekson rëndësinë e të kuptuarit nga vjen ushqimi ynë dhe përpjekjet e përfshira në prodhimin e tij.

Që në fillim, shefi i kuzhinës Rene Rexhepi dëshironte që seriali të ishte më pak për të dhe më shumë për ushqimin dhe rëndësinë e tij kulturore.

“I kam vënë vetes qëllim që të mos shfaqem më shumë se tre minuta në çdo episod. Nuk e kam llogaritur se sa kohë jam prezent në secilin episod, por mesatarisht mendoj se e kemi arritur këtë gjë që më bën të lumtur. Doja të isha thjesht një mjet për të treguar këto histori frymëzuese që kemi mbledhur”, thotë ai. Në fakt, “Omnivore” hap terren të ri për një serial me një kuzhinier të famshëm pas tij, duke zgjedhur ta bëjë atë më shumë një rrëfyes sesa drejtuesin ose personazhin qendror që televizioni shpesh shfaq me kuzhinierë të njohur. Zëri i Rexhepit, plot nuanca, i drejton episodet në një mënyrë të qetë dhe provokuese, duke nxjerrë në pah lidhjet që mbështesin sistemet globale të ushqimit. Sipas shefit të kuzhinës, televizioni është një mjet i fuqishëm për të folur për ushqimin me një audiencë më të gjerë – “shumë prej të cilëve as që kanë dëgjuar kurrë për emrin tim”, qesh ai.

 “Imagjinoni sikur ta vlerësonim ushqimin në të njëjtën mënyrë që vlerësojmë futbollin, duke vendosur mijëra njerëz para një ekrani për të menduar se si hamë ne dhe për të reflektuar mbi rolin e ushqimit”, thotë ai.

Ëndrra e Rexhepit me “Omnivore” është që seriali të mund të ushtroj vërtet këtë ndikim, duke i inkurajuar shikuesit të mendojnë më në mënyrë kritike për zgjedhjet e tyre ushqimore dhe për të gjithë sistemin ushqimor.

“Omnivore është një serial ku ne nuk po përpiqemi të predikojmë apo t’i mësojmë njerëzit. Në vend të kësaj, ne përpiqemi t’i frymëzojmë ata”, përfundon Rene Rexhepi.

Shiko trilerin KËTU!