OKB-ja miratoi paktin për “një të ardhme më të ndritur” për njerëzimin

Kombet e Bashkuara miratuan më 22 shtator një “Pakt për të Ardhmen” që synon adresimin e sfidave të shumta të shekullit, nga konfliktet te ndryshimet klimatike dhe të drejtat e njeriut, pavarësisht kundërshtimeve të minutës së fundit nga një grup vendesh të udhëhequra nga Rusia, raporton Radio Evropa e Lirë

Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres, i cili organizoi “Samitin për të Ardhmen”, e cilësoi atë si një “mundësi që vjen një herë në një gjeneratë” për të rishkruar historinë njerëzore duke nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar.

Si një akt hapës për javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që fillon më 24 shtator, dhjetëra kryetarë shtetesh dhe qeverish u mblodhën për nënshkrimin e tekstit.

Në versionin e miratuar, udhëheqësit u zotuan të forcojnë sistemin multilateral për të “mbajtur ritmin me një botë që po ndryshon” dhe për të “mbrojtur nevojat dhe interesat e brezave të tanishëm dhe të ardhshëm” përballë “krizave të vazhdueshme”.

“Ne besojmë se ka një rrugë drejt një të ardhmeje më të ndritur për gjithë njerëzimin”, thuhet në dokument.