“O2 Iniciativa”: Në plazhet e Ohrit mbretëron “ligji i xhunglës”, nuk respektohen rekomandimet e UNESCO-s
Organizata “O2 Iniciativa” thotë se në plazhet e Liqenit të Ohrit të dhëna me koncesion nuk respektohen as rekomandimet e UNESCO-s dhe as kontratat e koncesionit, duke pyetur nëse ka ndonjë institucion kompetent që do të veprojë ndaj këtyre rasteve, transmeton Portalb.mk.
“Sipas rregullave, 50 përqind e hapësirës duhet të lihet e lirë, pa shezllone dhe pajisje të tjera. Në Kaneo dhe Potpesh shezllonet janë vendosur njëri pas tjetrit, me mure të betonizuara e ndërhyrje të ngjashme. As inspektorati nuk vepron, as kryetari i komunës, Pecakov, nuk shqetësohet. Të gjithë bëjnë sikur nuk shohin asgjë”, reagojnë nga “O2 Iniciativa”.
Nga organizata theksojnë se në vendet evropiane ligji zbatohet në mënyrë rigoroze, duke përmendur si shembull Portugalinë, ku 70 përqind e plazhit duhet të mbetet e lirë, si dhe 50 përqind e gjatësisë së tij.
“Në Greqi, 50 deri në 70 përqind e plazheve në zonat Natura duhet të jenë të lira, ndërsa katër metra nga vija bregdetare duhet të mbeten pa shezllone. Plazhet më të ngushta se katër metra dhe më të vogla se 150 metra katrorë nuk mund të jepen me qira. Ndërsa te ne, në të vetmin trashëgimi botërore të mbrojtur nga UNESCO në vend, një nga vetëm 38 vendet e përziera natyrore dhe kulturore në botë, mbretëron ligji i xhunglës, pa rregulla dhe pa ndjenjë përgjegjësie për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore”, thuhet në reagimin e “O2 Iniciativës”.
Aktivistët i bëjnë thirrje publike kryetarit të Komunës së Ohrit, Kiril Pecakov, dhe inspektoratit komunal që të ndërmarrin veprime.
“Për këto plazhe nuk ka asnjë dilemë se çfarë konsiderohet hapësirë nën koncesion, gjithçka është shumë e qartë”, theksojnë ata, duke pyetur pse koncesionarët lejohen të ndjekin vetëm interesin e tyre ekonomik, pa u sanksionuar për mosrespektimin e kontratave.
Kujtojmë se në projekt-vendimin e fundit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s thuhet se “Trashëgimia natyrore dhe kulturore e Rajonit të Ohrit (Shqipëria, Maqedonia e Veriut) të vendoset në Listën e trashëgimisë botërore në rrezik” .