Nxënësit dhe studentët e Maqedonisë së Veriut do të mund të marrin deri 100 mijë denarë për blerjen e instrumenteve muzikore

Konkursi për kthimin e mjeteve për instrumente muzikore të blera për vitin shkollor dhe akademik 2023/2024, do të jetë i hapur 60 ditë për nxënësit dhe studentët e Maqedonisë së Veriut që janë të regjistruar në muzikë, transmeton Portalb.mk.

“Ministria bën kthimin e një pjese të  paguar të mjeteve për blerjen e instrumentit muzikor në vlerë prej 75% nga mjetet e paguara, mirëpo jo më shumë se 100.000 denarë për instrument, për blerjen e 25 instrumenteve muzikore nga ana e nxënësve të  rregullt të regjistruar në shkollat e mesme shtetërore në të cilën realizohen plane”, njoftoi Ministria për Arsim dhe Shkencë.

Konkursi i publikuar sot nga Ministria, vlen edhe për 25 instrumente tjera muzikore që do të shkojnë për studentët e regjistruar në fushën e muzikës.

“Të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Të jenë nxënës të rregullt në vitin e katërt në shkollat e mesme shtetërore ku realizohen planet dhe programet për art muzikor. Të kanë arritur sukses së paku shumë mirë në vitin e parë, të dytë dhe të tretë nga arsimi i mesëm”, këto ishin disa nga kushtet që duhet të plotësojnë nxënësit.

Në Konkurs theksohet edhe kriteret dhe dokumentet tjera të nevojshme për shfrytëzimin e kësaj të drejte.