Nuk ka rrezik për cunami të mëdha pas tërmetit të fuqishëm në Japoni, ka persona të bllokuar

Autoritetet japoneze e zvogëluan paralajmërimin për cunami për rajonin Noto nga paralajmërim i lartë në më të ulët, që u shpall pasi pjesa qendrore e vendit sot u godit nga tërmet me intensitet prej 7,6 ballësh sipas Shkallës së Rihterit. Kjo ishte hera e parë nga tërmeti katastrofik në vitin 2011 të shpallet shkallë më e lartë e alarmimit për cunami, shkruan sdk.mk, njofton Portalb.

Edhe pse paralajmërohej se deri në Noto do të mund të mbërrinin valët e larta deri në pesë metra, deri tani janë regjistruar valë më të larta se një metër.

Gjatë tre orëve të kaluara, në Japoni u regjistruan më shumë se 30 tërmete me intensitet midis 3,6 dhe 7,6 ballë, me ç’rast pa energji kanë mbetur më shumë se 36.000 shtëpi në prefekturat Ishikava dhe Tojama dhe janë suspenduar trenat e shpejtë drejt Tokios.

Tani për tani nuk ka informata të sakta për dëme dhe viktima eventuale. Zëdhënësi i Qeverisë japoneze deklaroi se ka ndërtesa të rrënuara dhe rrugë të dëmtuara në disa qytete dhe se janë paraqitur gjashtë raste të personave të bllokuar.

Operatori më i madh shtetëror për energji bërthamore “Kansai elektrik” publikoi se nuk janë vërejtur abnormalitete në centralet bërthamore afër bregut të Detit Japonez.