Njëra nga tri “Gratë e thyera” të Simone de Bovuarit vjen sonte në Teatrin e Tetovës

Festivali Teatror në Tetovë u hap me sallën plot me shfaqjen “Allo allo” nga Teatri “Hadi Shehu” i Gjakovës. Nata e dytë vazhdoi me “Fluturimi mbi teatrin shqiptar”  nga Teatri i Kumanovës, shfaqje kamertale, mbrëmë Teatri i Dramës – Shkup dha shfaqjen “Versinazh”, ndërsa sonte është radha e Tiranës me “Gruaja e thyer”, ndërsa nesër mbyllet me “Krokodili” nga Teatri për Fëmijë dhe të Rinj nga Shkupi, njofton Portalb.mk

Afishe e festivalit
Afishe e festivalit

Nga nata e parë e deri edhe mbrëmë është vërejtur një prani e madhe publiku në sallën e madhe. Si duket njerëzve u ka munguar festivali dhe skena e magjishme e teatrit. Edhe pse në edicionin e tij të tetë Gjakova për herë të parë ishte pjesëmarrëse në këtë festival dhe publiku ngeli i befasuar nga trupa përbërëse e këtij teatri dhe interpretimi skenik. Në natën e dytë gjysma e publikut ngeli në këmbë shkaku se shfaqja ishte kamertale. Sonte shfaqja që jepet është me kufizim moshe.

Teksti ‘’Monolog’’, i Simone de Bovuarit vjen si monodramë e shkëputur nga “Gruaja e thyer” me regji të Endri Çelës dhe interpretimin e Adriana Tolkës. Bëhet fjalë për njërën nga tre historitë e tri grave te të cilat pasioni shkon drejt rënies, zvetënimit. Libri ndahet në tri pjesë: Mosha e maturisë, Monolog dhe Gruaja e thyer.  Simon de Bovuar, e dimë të gjithë është përveç shkrimtare, filozofe është edhe themeluese dhe teoriciente e feminizmit. Të tre tregimet te ‘’Gruaja e thyer’’ rrëfehen në vetën e parë nga gratë në një udhëkryq social, emocional dhe ekzistencial. Këto vepra janë pjesë e së njëjtës paketë letrare filozofike të autores, rezultat i të njëjtit reflektim dhe vëzhgim antropologjik. Nga tre tregimet ‘’Monologu’’ është më negativi, më nihilisti.

Programi i festivalit
Programi i festivalit

Gruaja e ‘’Monologut’’ është mbi të dyzetat, e divorcuar, ka humbur kujdestarinë e fëmijëve dhe vajza e saj Silvia është vetëvrarë nga mbidoza. Prej pesë vitesh jeton e vetme ne apartamentin e saj duke u zvarritur deri në kuzhinë, pret të takojë djalin e saj. Ajo është e pakënaqur nga jeta, e lënduar, e drejtpërdrejtë, ndjen se jeta ka qenë koprrace me të, i ka marrë gjithçka dhe asgjë nuk i doli siç e kishte ëndërruar në rini. Në fund, do që Zoti të ekzistoj me çdo kusht, sepse kërkon dikush ta dëmshpërblej për krejt jetën e shkuar huq. Monologu është historia më nihiliste e botuar në vitet ‘60 , Bovuari është përpjekur të pikturojë tablonë tragjike, me një profil psikologjik të zbërthyer, brenda kuadrit të shoqërisë moderne kapitaliste. Është tablo e dhimbjes së grave, fatkeqe dhe pre e modeleve moderne gjinore.

Monodrama ‘Gruaja e thyer’ përfaqësoi për të parën herë Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës ‘To the stars’ në Varna, Bullgari.

Mos harroni dhe nesër të ndiqni shfaqjen ‘’ Krokodili’’ nga Teatri Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj dhe do ngelet që të shpallet dhe shfaqja fituese nga vlerësimet që ka bërë publiku në këto pesë net sa kishte mundësi të shihte shfaqjet dhe të njëjtat t’i vlerësonte nga 1 deri në 5 dhe fletushkën me vlerësimin e fuste në kutinë e votimit nga ku do të dal dhe çmimi kryesor i këtij festivali: Shfaqja më e mirë.