Një kongresmen republikan loboi që një maqedonas të marrë vizë në SHBA për të punuar në “Trump Media”

Kongresmeni republikan Dan Bacon nga Nebraska i ka ndihmuar maqedonasit Vladimir Novaçki nga Shkupi për të marrë vizë amerikane. Siç raportoi dje ProPublica, organizata partnere e IRL-së në SHBA, kërkesa për ndihmë nga zyra e Bacon erdhi nga Trump Media, kompania e mediave sociale ku Novaçki ishte i punësuar. Trump Media është në pronësi të Donald Trump, ish-president dhe kandidat aktual për postin e presidentit.

Sipas mesazheve elektronike në të cilat “ProPublica” kishte qasje, punonjësit e “Trump Media” komunikuan në janar 2022 me bashkëpunëtorët e kongresmenit Bacon.

Makenzie Cartwright, një ish-punonjëse në zyrën e Bacon, thotë se kongresmeni personalisht i dha udhëzime për të ndihmuar Trump Media, edhe pse ajo mendonte se përzierja e politikës me punën e zyrës ishte e papërshtatshme.

“Unë nuk doja ta bëja, por kongresmeni personalisht më tha ta bëja punën”, tha Cartwright, një ish-drejtore e projekteve speciale, pasi gazetarët e pyetën atë për përfshirjen e kongresmenit në sigurimin e një vize për një punonjës të kompanisë Trump.

Në një nga emailet e parë nga ProPublica, shefi operativ i Trump Media falënderoi një punonjës të Bacon për ndihmën.

“Faleminderit shumë për ndihmën tuaj, do të sigurohem që ta falënderoj edhe kongresmenin.”

“Trump Media” dhe Novaçki aplikuan për vizë që është e rezervuar për personat me aftësi të jashtëzakonshme. Aplikimi i Novaçkit u miratua, por siç tregojnë emailet nga janari 2022, intervista e Novaçkit në ambasadën amerikane ishte planifikuar për në dhjetor 2023. Pastaj kompania në të cilën ai ishte i punësuar i kërkoi ndihmë kongresmenit Bacon.

Novaçki e filloi karrierën e tij duke zhvilluar aplikacionin “Skopje Taximeter”, i cili u mundësoi qytetarëve të Shkupit të përdorin telefonat e tyre për të parë se sa para duhet të paguajnë për veturën në të cilën po lëvizin. Suksesin më të madh e përjetoi kur u punësua në kompaninë kanadeze “Cosmic Development” e cila ka zyra në Maqedoni. Firma është bashkëthemeluar nga Chris Pawlowski, i cili gjithashtu krijoi platformën e videove Rumble, e cila është një alternativë e njohur për YouTube në mesin e konservatorëve amerikanë dhe ka një partneritet me Trump Media.

Si punonjës i “Cosmic Development”, Novaçki filloi bashkëpunimin me “Trump Media” që në ditët e para në kompani. Pawlowski e rekomandoi atë si dikush që mund të ndërtonte një prototip të platformës Truth Social për më pak para se amerikanët.

Pasi zyra e Bacon ndihmoi në zgjidhjen e çështjes, Novaçki u transferua në Florida vitin e kaluar dhe u bë shefi i teknologjisë i Trump Media. Ai nuk iu përgjigj pyetjeve të ProPublica.

Nuk është e pazakontë që kompanitë t’u drejtohen kongresmenëve për ndihmë, por më shpesh ata e kërkojnë atë nga përfaqësuesit e distriktit të tyre. Trump Media është me bazë në Sarasota, Florida dhe është jashtë rajonit të mbuluar nga Bacon, i cili është kongresmeni i Nebraskës.

Kërkesa e Trump Media për ndihmë nga Bacon vjen në një moment delikat kur dy politikanët kishin mosmarrëveshje publike.

Bacon e mbështeti Trumpin në të dyja fushatat presidenciale, por gjithashtu e kritikoi atë për depërtimin në Capitol Hill në janar 2021. Kongresmeni, edhe pse republikan, votoi për një projekt-ligj të infrastrukturës të propozuar nga presidenti Joe Biden. Pas votimit, Trump tha: “A dëshiron dikush të kandidojë për Kongres kundër Dan Bacon në Nebraska”.

Emailet në të cilat kompania e Trump kërkoi ndihmën e Bacon vijnë vetëm disa javë pas njoftimit të Trumpit.

Në përgjigje të pyetjeve nga ProPublica, zëdhënësi i Bacon tha se zyra nuk mund të diskutonte detajet e rastit për shkak të shqetësimeve të privatësisë, por shtoi se Trump Media nuk kishte marrë ndonjë trajtim të veçantë.

“Ky rast nuk është trajtuar ndryshe nga qindra rastet e tjera që ne procesojmë çdo vit. Politika nuk hyn në lojë për punën zyrtare të Kongresit”, tha zëdhënësi.

Një zëdhënës i Trump Media nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve, por siç raportohet nga ProPublica tha se historia ishte sajuar nga fabrikimi i deklaratave, duke keqpërdorur komunikimet e vjedhura që përmbajnë informacione private të punonjësve të tyre dhe duke insinuuar keqbërje aty ku nuk ekzistonin.

Sipas personave të përfshirë në procedurën për marrjen e vizës për maqedonasin, bashkëpunimi mes “Trump Media” dhe Novaçkit ka nisur për shkak se amerikanët që dëshironin të aplikonin për të njëjtën punë kërkonin paga shumë më të larta.

Ndërsa Trump ishte president nga viti 2017 deri në 2021, administrata amerikane prezantoi ligje dhe masa që e vështirësuan marrjen e vizave të punës për punëtorët e huaj të kualifikuar dhe i shtynë kompanitë të punësojnë amerikanë. Në kandidaturën aktuale, Trump sërish premton të forcojë platformën “Bli amerikane dhe punëso amerikan”.

Edhe pse Trump në mandatin e tij dhe në kandidaturën e tanishme e paraqet veten si kujdestar i vendeve të punës amerikane, kompania e tij kërkon trajtim të veçantë për të sjellë një punëtor të huaj për të punuar për kompaninë e tij në Amerikë.

Avokati i imigracionit, Dan Berger, thotë se Trump Media është hipokrite sepse ka kërkuar vizë për punëtor të huaj.

“Çdo ditë e më shumë bëhej e pamundur sigurimi i një vize pune”, tha Berger për rastet për të cilat punonte në administratën Trump.

Intervistat e bëra nga gazetarët dhe dokumentet që disponojnë ProPublica tregojnë se punësimi i drejtorit të teknologjisë në Trump Media është pjesë e një operacioni më të madh të kësaj kompanie për të importuar punonjës nga jashtë. Sipas faturave, Trump Media ka një kontratë me një firmë të huaj outsourcing dhe shumë njerëz që nuk jetojnë në Amerikë listojnë profilet e tyre në LinkedIn se punojnë për kompaninë e Trumpit.

ProPublica ka siguruar dokumente që tregojnë se një person tjetër punon në “Trump Media” nëpërmjet kompanisë kanadeze Cosmic Development. Profilet e LinkedIn të pesë personave të tjerë që jetojnë në Ballkan tregojnë se ata punojnë për Trump Media. Gazetarët e ProPublica-s i kanë dërguar pyetje kompanisë, por ata nuk janë përgjigjur.

Trump Media, e cila tani përbën afërsisht gjysmën e pasurisë së Trumpit, përfaqëson një konflikt interesi për ish-presidentin, sipas ekspertëve të etikës.

Virginia Kanter, eksperte për çështjet etike, thotë se ndihma që mori Trump Media për të sjellë punonjësin e saj në Amerikë është një “konflikt klasik interesi”.