Një ish-gjyqtar i shkarkuar për punë joprofesionale synon postin në Këshillin Gjyqësor në RMV
Në garën e ngushtë për anëtar të ri të Këshillit Gjyqësor ka hyrë një ish-gjyqtar, i cili dikur ishte shkarkuar nga funksioni për shkak të punës joprofesionale dhe të papërgjegjshme. Bëhet fjalë për Sejfulla Osmanin, i cili ka qenë gjyqtar në Gjykatën Themelore të Gostivarit deri më 18.01.2010, kur Këshilli Gjyqësor nxori Vendimin me të cilin i konstatohet ndërprerja e funksionit me kërkesën e tij, shkruan Fokus, transmeton Portalb.mk.
Në këtë vendim të botuar në Gazetën Zyrtare më 20.01.2010, thuhet se Këshilli Gjyqësor ka konstatuar ndërprerjen e funksionit të Osmanit, pasi paraprakisht (më 02.12.2009) ishte sjellë “Vendimi për shkarkimin e tij për shkak të kryerjes joprofesionale dhe të papërgjegjshme të funksionit të gjyqtarit”.
Osmani është një nga dy kandidatët për anëtar të ri të Këshillit Gjyqësor, së bashku me Arbër Isakun, të cilët Komisioni parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime i përzgjodhi nga një listë më e gjerë dhe ia propozoi Kuvendit për votim.
Edhe pse pika për votimin e anëtarit të ri ishte në rend dite në seancën e sotme parlamentare, për të nuk u hap aspak debat. Kjo shkaktoi reagimin e opozitës shqiptare të udhëhequr nga BDI, duke pyetur nëse në prapaskenë po bëhen kalkulime të caktuara rreth kandidatëve.
Sipas raportit të nënshkruar nga Dafina Stojanoska e VMRO-DPMNE-së, pas shpalljes së konkursit më 02.02.2026, ishin paraqitur 10 kandidatë, prej të cilëve 6 plotësonin kushtet.
Pas dëgjimit publik, me propozim të Bekim Qokut nga VLEN, Komisioni përcaktoi listën me dy emra: i pari Osmani, doktor i shkencave juridike nga Gradaci i Vrapçishtit dhe i dyti Isaku, jurist i diplomuar nga Tetova.
Megjithatë, votimi nuk ndodhi, me gjasë edhe për shkak të mungesës së shumicës së Badinterit.
Në biografinë e tij, Osmani ka shënuar se është i punësuar në Fakultetin e Shkencave Juridike në Universitetin e Strugës dhe punon si avokat. Ai e ka përshkruar veten si ekspert të së drejtës ndërkombëtare, duke pretenduar se si gjyqtar ka punuar me përgjegjësi të lartë dhe pavarësi.
Kujtojmë se Osmani është i njohur edhe për faktin se në vitin 2017 shfaqi interes për postin e Prokurorit Publik Republikan, duke deklaruar atëkohë se kishte dhënë dorëheqje nga pozita e gjyqtarit hetues në Gostivar për shkak të presioneve nga ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Mihajlo Manevski.
Sa i përket kundërkandidatit Arbër Isaku, ai ka punuar në sektorin privat, në gjykatën e Tetovës si përkthyes gjyqësor, si dhe ka qenë këshilltar në Qeveri dhe Kuvend, si dhe anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë.
Ky proces po zhvillohet në një kohë kur besimi i qytetarëve te drejtësia është vetëm 2 përqind, ndërsa pushteti i ri premton reforma pikërisht në Këshillin Gjyqësor, i cili është përgjegjës për zgjedhjen, shkarkimin dhe vlerësimin e punës së gjyqtarëve.
Kujtojmë se Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka shënuar progres të moderuar në drejtim të transparencës, thuhet në raportin e Institutit për Politika Evropiane në pjesën për Gjyqësorin. Ai vazhdon të ketë disa probleme thelbësore si mungesa e një zyrtari për marrëdhënie me publikun kufizon komunikimin profesional me median dhe shoqërinë civile. Strategjia e Komunikimit 2024–2028, edhe pse e miratuar, nuk zbatohet në praktikë dhe arsyetimet e vendimeve mbeten të përgjithshme dhe formale, veçanërisht në emërimet e gjyqtarëve në instanca më të larta.