Mickoski tha se ka shumicën e nevojshme për të miratuar reformat në Këshillat Gjyqësor dhe të Prokurorëve

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se është i bindur se do të siguronte shumicë të dyfishtë në Kuvend, për të miratuar ndryshimet ligjore për reformim të Këshillit Gjyqësor dhe atij të Prokurorëve. Ai njoftoi se procesi i konsultimeve dhe reformave në Këshillin Gjyqësor do të fillojë javën e ardhshme. Gjatë seancës së djeshme të pyetjeve në Kuvend, ai theksoi se një ekspert polak, i financuar nga Bashkimi Evropian, do të angazhohet në këtë proces, por nuk zbuloi identitetin e tij. Në konsultime do të përfshihen edhe përfaqësues të kabinetit të kryeministrit, transmeton Portalb.mk.

Mickoski shprehu keqardhje për mungesën e propozimeve konstruktive deri tani dhe shpjegoi se, në bashkëpunim me ministrat e Çështjeve Evropiane, Punëve të Brendshme, Drejtësisë dhe të tjerë, do të fillojë një koordinim më i gjerë. Ai është i sigurt se të gjithë deputetët do të mbështesin reformën që rekomandohet nga Bashkimi Evropian.

“Vetëm se gjatë javës së ardhshme do të kemi fillim të procesit pasi që deri më tani, më vjen keq që nuk arritëm të marrim propozime më konstruktive, gjegjësisht të marrim, çfarëdo propozimesh. Kështu, prej javës së ardhshme në një koordinim më të gjerë edhe me ministrin e Çështjeve Evropiane, ministrin e Punëve të Brendshme, Drejtësi e kështu me radhë, dhe të tjerët që kanë pjesë e këtij procesi. Jam i bindur se të gjithë deputetët në Kuvend do të votojnë për një reformë të tillë, që rekomandohet nga Bashkimi Evropian”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Për “reformën në gjyqësor”, Komisioni Evropian dje në Raportin e progresit adresoi kritika.

“Njoftimet e qeverisë së re për planet për shpërbërjen e Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorisë janë një shqetësim serioz, pasi veprime të tilla do të cenonin pavarësinë e gjyqësorit. Rritja e deficitit të burimeve njerëzore në gjyqësor ngre shqetësime për ndikimin në cilësinë dhe efikasitetin e drejtësisë”, thuhet në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.

Kryeministri Hristijan Mickoski para pak kohësh shprehu gatishmërinë që të ulet në të njëjtën tryezë me ambasadorët në vend dhe të bisedojë me ta për një zgjidhje më të mirë potenciale që do të ofronin për të ardhmen e Këshillit Gjyqësor dhe të Këshillit të Prokurorëve Publikë si organe gjyqësore-prokuroriale, ndërsa kjo të mos jetë shpërndarja e tyre.

VMRO-DPMNE-ja dhe kryeministri Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar shpërbërjen e përbërjes aktuale të Këshillit Gjyqësor dhe reformim në pjesën e zgjedhjes së ardhshme të anëtarëve të tij. Në një prononcim për “Sloboden Peçat” dhe “Fokus” Këshilli tha se gjyqësori, si një nga tre autoritetet, është i pavarur dhe çdo ndërhyrje nga autoritetet e tjera mund të jetë e rrezikshme për demokracinë dhe shtetin e së drejtës.