Një autobus i NTP-së është prishur dhe ka marrë flakë, nuk ka pasur udhëtarë

Një autobus i Ndërmarrjes së Transportit Publik “Shkupi” është djegur sot në bulevardin “Hristijan Todorovski-Karposh” në Komunën e Butelit. Informacionin për “360 gradë” e ka konfirmuar drejtori i NTP “Shkup”, Dragi Kushovski, transmeton Portalb.mk.

Ai thotë se në autobus nuk ka pasur pasagjerë në momentin që ka rënë zjarri.

Sipas Kushovskit, autobusi fillimisht është prishur, më pas është thirrur shërbimi i kompanisë, por në momentin që ka mbërritur, automjeti ka marrë flakë.

Sipas informacioneve jozyrtare, autobusi ka marrë flakë për shkak të defektit në instalimin elektrik.

Drejtori thotë se rasti është duke u hetuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe se duhet pritur raporti zyrtar për shkakun e zjarrit të autobusit.

Nga Njësia Territoriale e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit konfirmojnë se me një veturë kanë intervenuar dhe kanë fikur zjarrin në autobusin e djegur të NTP-së në kryqëzimin e bulevardit “Hristijan Todorovski-Karposh” me rrugën “Ferid Bajram” në lagjen Butel.

Autobusi që u dogj sot është një nga autobusët e zakonshëm njëkatësh që janë sjellë nga Ukraina.

Ndryshe, ky është autobusi i dytë i NTP “Shkupi” që ka marrë flakë në dhjetë ditët e fundit. Nëntë ditë më parë, një autobus ka marrë flakë në stacionin hekurudhor në Shkup. Sipas informacioneve fillestare, zjarri ka rënë në pjesën e pasme të motorit, më pas është thirrur menjëherë një zjarrfikës.

Incidenti i sotëm është i treti gjatë këtij muaji me një automjet të NTP-së. Më 8 korrik, një autobus dykatësh i NTP-së goditi bordurë betoni në kryqëzimin pranë qendrës tregtare “Mavrovka” dhe bibliotekës universitare “Shën Kliment Ohrit” në qendër të Shkupit. Shoferi më pas u ankua publikisht se automjeti ishte me defekt, ndërsa sindikata akuzoi se automjetet me defekte teknike po lirohen nga depoja, me nënshkrim dhe vulë se janë të sakta.