Nisën punimet për rrethimin e deponisë ilegale në Nikushtak, të premtuara që nga 2017-ta

Kanë filluar punimet për vendosjen e rrethojës në deponinë ilegale në fshatin Nikushtak të komunës së Likovës. Portalb.mk të premten e vizitoi deponinë dhe në terren takoi disa punëtorë të cilët thanë se ishin dërguar nga Komuna e Likovës.

Punëtorët të cilët nuk deshën të prononcohen me emra, thanë se nuk i takojnë ndonjë kompanie por janë angazhuar privatisht nga Komuna e Likovës. Ata na treguan se kanë filluar me punimet dhe kishin vendosur shtyllat. Por, nga Komuna e Likovës nuk deshën të prononcohen.

Sa për rikujtim, kryetari aktual i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, qysh në mandatin e tij të parë premtoi se brenda gjashtë muajve do ta rrethojë me mur deponinë në fjalë.

Portalb.mk kontaktoi me Arifin, ai tha se për këtë çështje të drejtohemi deri te Ndërmarrja Komunale Publike “Pisha”.

Kontaktuam dhe këtë ndërmarrje, ata na drejtuan te drejtoresha Valdete Ramadani, por ajo nuk iu përgjigj pyetjeve tona gazetareske, pas shumë thirrjeve telefonike, përgjigje nga ajo nuk morëm.

Punime gjatë rrethojës në Deponinë në Nikushtak. Foto nga Portalb.mk
Punime gjatë rrethojës në Deponinë në Nikushtak. Foto nga Portalb.mk

Për këtë çështje, kontaktuam edhe Ministrinë e Mjedisit Jetësor, dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH). Nga atje na thanë se ende nuk kanë filluar punimet për mbylljen e deponisë të paralajmëruara nga ministri i MMJPH, Izet Mexhiti më 6 qershor të këtij viti.

Për më shumë se dy dekada, nuk ka zgjidhje për pastrimin e deponisë në fshatin Nikushtak të Komunës së Likovës. Banorët i kanë humbur shpresat se ky problem do të zgjidhet përderisa mbeten të shqetësuar për shëndetin e tyre. Komuna e Likovës në qershor është arsyetuar se pastrimi i deponisë së egër bëhet rregullisht dhe se “shumë shpejtë do ta rrethojnë deponinë” gjë që është thënë që nga viti 2017.

LEXO: Deponia ilegale në Nikushtak mbi dy dekada helmon qytetarët, shkilen premtimet për pastrimin e saj