Nisën punimet në rrugën “Ferid Murad” në Çair
Në komunën e Çairit nisin punimet në rikonstruksionin e rrugës “Ferid Murad”, një projekt i paralajmëruar si prioritet për përmirësimin e infrastrukturës dhe lidhjes urbane. Ky investim kap vlerën prej 1 milion euro, duke shënuar një hap të madh drejt modernizimit të rrjetit rrugor në këtë komunë, thanë kryetarët e Çairit dhe Qytetit të Shkupit, Izet Mexhiti dhe Orce Gjorgjievski, transmeton Portalb.mk.
“Sot fillon një nga projektet më të rëndësishme të Komunës së Çairit, rekonstruimi i tërësishëm i rrugës Ferid Murati. Faza e parë bëhet në bashkëpunim me Bankën Botërore. Projekti është afër 22 milionë denarë, Komuna e Çairit merr pjesë me 4 milionë denarë, që dmth dy korësi për qarkullim të lirë të veturave. Nga dy anët do të ketë vendparkime legale për 200 vetura. Poashtu parashihet të ketë korësi për biçikleta nga dy anët dhe trotuare për lëvizjen e qytetarëve me ndriçim të ri. Poashtu për lehtësimin e qarkullimit do të ketë dy rreth-rrotullime. Rikonstruimi i rreth-rrotullimit të parë, i dytë do të jetë te shkolla Ismail Qemali, duke përfunduar te rreth-rrotuliomi i tretë te monumenti i shqiponjës”, tha Mexhiti.
Faza e parë e projektit – rikonstruimi i 600 metrave të parë, realizohet me mbështetje financiare të Bankës Botërore në vlerë prej rreth 22 milionë denarë, ndërsa Komuna e Çairit merr pjesë me 4 milionë denarë shtesë.
Pjesa e dytë e rrugës do të bëhet përmes thirrjes së Qeverisë dhe me mjete nga buxheti komunal.
Kjo rrugë ka rëndësi të veçantë për Çairin, sepse lidh lagje, lehtëson lëvizjen e përditshme dhe ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin lokal.
Sipas kryetarit të Qytetit të Shkupit Orce Gjorgjievski, punët infrastrukturore në qytet duhet të realizohen me dinamikë të qartë, koordinim dhe transparencë, me qëllim që qytetarët të marrin zgjidhje cilësore dhe afatgjate.
Gjorgjievski theksoi se çdo komunë ka detyrim të ofrojë zgjidhje moderne të trafikut, zona të mirëmbajtura për këmbësorë dhe biçikleta, si dhe një mjedis urban të sigurt.
Premtime të reja erdhën edhe për realizimin e projektit të zgjerimit dhe rregullimit të Bulevardit “Cvetan Dimov”, një nga arteriet më kritike të qarkullimit që lidh komunën me qendrën e Shkupit.
Ky projekt, i premtuar për dekada, tashmë siç thanë ata, ka kaluar fazën konceptuale dhe po përgatitet për realizim praktik. Komuna e Çairit ka marrë përsipër përgatitjen e dokumentacionit projektues dhe urbanistik, ndërsa Qyteti i Shkupit do të sigurojë financimet për zbatimin dhe eksproprimin e pronave sipas planit.