NGJARJE QË PËRSËRITEN…

E ndërroj kanalin kur politikanët japin deklarata dhe intervista. Nuk ndjek debate politike, seanca parlamentare dhe qeveritare. Nuk më trazojnë lajmet kalimtare dhe aferat e çdoditshme, që harrohen shpejt. Dhe nuk humb asgjë të rëndësishme. Jam më i mbrojtur nga gënjeshtrat dhe helmet e politikës. Jam më i kursyer nga klishetë e mërzitshme për “projektet historike” dhe nga parullat “për të ardhmen e ndritur”.

Botën s’dua ta shoh me syze ideologjike, as me dioptri liderësh partiakë, por me sy dyshimtari. Ashtu siç është: e zymtë dhe e trishtë. Ndryshe e konstruktojnë realitetin intelektualët partiakë, mediet, influencerët. Ndryshe e paraqesin politikanët që s’mund të zgjidhin një problem lokal dhe merren me problemet globale.

Nuk dua të bëhem rob ngjarjesh kalimtare politike dhe as komentues i tyre. Nuk kam pasur dhe nuk kam kërkuar mandat që t’i mbroj interesat e shumicës. Jam me të margjinalizuarit, me pakicën, e cila nuk mendon sipas kallëpeve partiake dhe ideologjike. Nuk e përfaqësoj askënd tjetër përveç vetvetes. Nuk thirrem në emër të kombit. Kush jam unë ta përfaqësoj kombin dhe të thirrem në emrin e tij?

Dikur kam shkruar shumë dhe me përgjegjësi civile për ngjarje ditore. I kam kritikuar politikanët dhe kam humbur kohë e nerva. Kam folur kur shumëkush ka heshtur dhe dua të hesht kur shumëkush flet pa thënë asgjë. Më nuk kam shtytje që të shkruaj për marrëzitë kalimtare. Kam bindjen se kur shkruaj për politikë i përsëris gjërat e njëjta në kohëra të ndryshme. Ndryshon vetëm dekori i tragjikomedisë së njëjtë politike. Ka vetëm përsëritje e kotësi në vazhdimësi dhe në pafundësi. Ka fytyra të vjetra dhe maska e rrena të reja. Ka përulje, hipokrizi, meskinë e servilë të veshur me pushtet. Ka kiç kulturor dhe politik. Ka ligjërime me ide të gatshme. Ka bezdi të pafundme, shkretëtirë shterpësie, ngjarje që përsëriten në vazhdimësi.

Ky është realiteti shumëvjeçar që nuk ndryshon. Jetojmë në gjendje të ngrirë dhe ndjehemi më rehat. Vetëm një pakicë e papërfillshme, e pafuqishme, por e admiruar, ngulmon për ndryshimin e kësaj gjendjeje ligështie, por zëri i saj humbet në shkretëtirën e bezdisë dhe të trivialitetit.

Nëse nisemi nga ajo që thuhet nëpër rrjete të ndryshme, mund të krijojmë përshtypje të gabuar se shumica e dëshiron ndryshimin. Nuk ka ndryshim duke i parë fajet vetëm te të tjerët, duke mallkuar, duke sharë, duke u ankuar e pastaj duke i votuar të njëjtët. Pa e ndryshuar këndvështrimin tonë mbi botën ku jetojmë nuk ndryshon asgjë. Para se të ndryshojmë diçka, duhet ta ndryshojmë veten…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.