Nganjëherë një taksi në Tetovë me një taksiste grua nuk është veç taksi, por një tregim i bukur dhe i trishtë

Koment nga gazetarja e kulturës Xhemazije Rizvani

Për lexuesit e Portalb.mk sjellim një përvojë me një takim të rastësishëm me një zonjë taksiste që punon për të mbijetuar dhe nganjëherë instinkti për mbijetesë na jep krahë e na trimëron, derisa nuk del dikush që prish gjithçka.

Është një vaki e rrallë që në Tetovë të të shërbejë taksiste grua. Një grua rreth të pesëdhjetave të paktën aq duket, ndoshta është më e re, ndoshta më e vjetër nuk e di me siguri, një gjë e kupton ende pa hapur gojën që është një grua e përvuajtur me kushedi ç ‘fati të rëndë.

Zonja në fjalë pinte duhan dhe ankohej për dhimbjet e boshtit kurrizor shkaku i të cilave s’bënte dot asnjë punë tjetër fizike, seç i kishte shkuar në mend taksia.

Guximi i zonjës për të bërë këtë profesion më dha një ndjesi kërshërie. Më vinin njëqind pyetje që dëshiroja t’ia shtroja? ! Një pasqyrë reale për një qytet më së miri e merr nga një taksist. E kur është taksiste, dyfish më shumë gjëra kupton. Më vajti mendja te një shofere e autobusit që e kisha pasur një herë në emision kur më tregoi se ka dhe burra që nuk i zënë besë një femre në timon, madje kishte nga ata që i kishin thënë: më fal, ama unë s’mundem të vozitem me ty dhe ka zbritur sërish. Kushedi sa histori interesante kishte dhe kjo taksiste.

– Mamaja ime është e shtrirë në shtrat, unë e divorcuar që në rini kujdesem për të. Me punën që bëj siguroj paratë e bukës dhe cigares. S’del për më shumë.

– Në Shkup ka një firmë taksie për gratë që bartin gratë është aplikacioni “Gratë për gratë”. Ke menduar të hapësh një gjë të tillë, do ishte diçka shumë e bukur dhe e dobishme edhe për ty edhe për gratë tjera që ndoshta mund t’i punësosh dhe t’i ndihmosh.

– Kam provuar. E kisha një veturë shumë të mirë me të cilën fillova të punoja shumë mirë. Isha gjithë kohës në lëvizje. Gratë me fëmijë më merrnin për shërbime, i dërgoja në aeroport. Nga tri herë brenda ditës shkoja. Gjithçka shkoi mirë derisa nuk mu prish një pjesë e veturës që ishte e shtrenjtë dhe e dërgova në servis.

– Nuk kishe para ta merrje sërish?

– Paratë i bëra si i bëra, por, kur shkova ta marr veturën asnjëherë më nuk ishte si më parë. Ia kishin ndërruar pjesët, më të mirat ia kishin marrë, se çka i kishin bërë nuk e di. Ka shumë njerëz të poshtër. Më kanë parë mua grua, hajt se kjo s’merr vesh. Nuk u bë më ajo veturë.

Çfarë mjeshtër i poshtër! Vetëm sikur ta dinte se çfarë dëmi ka bërë. Ëndrra e saj do merrte krahë aty, por…

Më erdhi shumë keq e në të njëjtën kohë pashë një grua luftarake në të dhe e di se do t’ia dalë me guximin e njëjtë me të cilin të drejtohet nga vendi ku shpesh jemi mësuar t ‘na pyesin burra: ”keni thirr ju taksi?”