Nga mesnata, çmime të reja të derivateve të naftës në RMV

Benzina dhe Eurodizeli do të lirohen me dy denarë për litër nga mesnata, ndërsa çmimi i vajit ekstra të lehtë për amvisëri do të ulet me një denar, vendosi sot Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRRE). Vendimi ul çmimet me pakicë të derivateve të naftës me një mesatare prej 2.09 përqind, transmeton Portalb.mk.

Çmimi i ri me pakicë i Eurosuper BS-95 do të jetë 73 denarë për litër, Eurosuper BS-98 do të shitet për 75, Eurodizel BS (D-E V) për 66.5, ndërsa vaji ekstra i lehtë (EL-1) për 65.5 denarë për litër.

Vendimi i KRRE-së ul edhe çmimin me pakicë të mazutit M-1 NS për 0.248 denarë për kilogram dhe do të arrijë në 32.635 denarë.

KRRE thekson se çmimet referuese të derivateve të naftës në tregun botëror, krahasuar me llogaritjen e mëparshme, kanë rënë mesatarisht me 4.932 përqind për benzinën, 4.357 përqind për naftën, 1.790 përqind për vajin ekstra të lehtë, ndërsa 1.013 përqind për mazutin.