Nga 1 shkurti do të fillojë zbatimi i plotë i sistemit “Qytet i Sigurt”
Nga 1 shkurti do të fillojë zbatimi i plotë i sistemit “Qytet i Sigurt”, pasi Kuvendi miratoi Ligjin për Kundërvajtjet, duke hapur kështu rrugën për sanksionim automatik të shkeljeve në trafik përmes kamerave dhe kontrollit softuerik, transmeton Portalb.mk.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, përmes një postimi në rrjetet sociale, theksoi se me këtë ndryshim ligjor shteti më në fund po ndërmerr hapa sistematik për t’u përballur me kaosin në trafik. Sipas tij, implementimi i “Qytet i Sigurt” është një vendim që mbron drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e qytetarëve, dhe jo një mekanizëm për mbushjen e buxhetit përmes gjobave.
“Gjatë periudhës së testimit ata treguan se dinë, munden dhe dëshirojnë të jenë pjesë e zgjidhjes. Me ndryshimin e sjelljes në trafik, me respektimin e rregullave dhe me rritjen e ndërgjegjësimit, qytetarët kontribuuan drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë dhe në uljen e aksidenteve në trafik, të lëndimeve dhe viktimave. “Qytet i Sigurt” nuk është një sistem ndëshkimi, por një sistem për shpëtimin e jetëve, dhe pikërisht qytetarët ishin të parët që e kuptuan këtë”, ka shkruar Toshkovski.
Deputetët e Maqedonisë së Veriut më 23 janar votuan për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, me të cilin mundësohet që sistemi Qyteti i Sigurt të hyjë në fuqi nga 1 shkurti. Sipas pushtetit ky sistem do të rrisë sigurinë në trafik, ndërsa sipas opozitës ka kritika të ndryshme për mangëi të sistemit.
Ndryshe, kamerat “Qytet i Sigurt” të instaluara në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut duke filluar nga 1 dhjetori. Ishte planifikuar që gjobat të fillojnë të zbatohen nga 1 janar 2026, mirëpo kjo është shtyrë për në 1 shkurt 2026. Synimi është që deri në vitin 2030 të zvogëlohet dhe të përgjysmohet numri i aksidenteve në trafik.
Krahas tre qyteteve, pajisjet për “Qytetin e Sigurt“ janë vendosur dhe në fazën fillestare duhet të fillojnë të implementohen edhe në korridoret 8 dhe 10.
- LEXO: “Qyteti i Sigurt” do të dërgojë edhe fotografi, si do të paguhen gjobat?
- LEXO: Deputetët i votuan ndryshimet, Qyteti i Sigurt do të fillojë të zbatohet nga 1 shkurti