MPB do të testojë nesër sistemin “Qytet i Sigurt” në Kumanovë dhe Tetovë
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se në kuadër të projektit „Qyteti i Sigurt“, nesër (25.01.) do të zbatohen aktivitete për testimin, kalibrimin dhe verifikimin e pajisjeve të vendosura (kamerave) për mbikëqyrje të komunikacionit në zonën e qyteteve të Kumanovës dhe Tetovës, transmeton Portalb.mk.
“Aktivitetet do të realizohen në intervalin kohor nga ora 08:00 deri në 20:00, me ç’rast në secilin lokacion me kamerë të vendosur procedura do të kryhet një herë dhe do të zgjasë pak, përafërsisht nga 15 deri në 30 minuta. Gjatë zbatimit të aktiviteteve në lokacionin konkret, komunikacioni përkohësisht nuk do të lejohet derisa zgjat procedura, pas së cilës do të vazhdojë të zhvillohet normalisht”, thuhet në njoftim.
Nga MPB u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë kufizimet e përkohshme, si dhe të tregojnë mirëkuptim, durim dhe bashkëpunim me qëllim të realizimit të papenguar dhe të sigurt të aktiviteteve të planifikuara.
Kujtojmë se, deputetët e Maqedonisë së Veriut më 23 janar votuan për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, me të cilin mundësohet që sistemi Qyteti i Sigurt të hyjë në fuqi nga 1 shkurti. Sipas pushtetit ky sistem do të rrisë sigurinë në trafik, ndërsa sipas opozitës ka kritika të ndryshme për mangëi të sistemit.
Ndryshe, kamerat “Qytet i Sigurt” të instaluara në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut duke filluar nga 1 dhjetori. Ishte planifikuar që gjobat të fillojnë të zbatohen nga 1 janar 2026, mirëpo kjo është shtyrë për në 1 shkurt 2026. Synimi është që deri në vitin 2030 të zvogëlohet dhe të përgjysmohet numri i aksidenteve në trafik.
Krahas tre qyteteve, pajisjet për “Qytetin e Sigurt“ janë vendosur dhe në fazën fillestare duhet të fillojnë të implementohen edhe në korridoret 8 dhe 10.