Nesër në Tetovë jepet premiera e shfaqjes “Anatomia e Revolucionit”, nën regji të Butrint Pashës (Video)

Nesër më (10 qershor), me fillim nga ora 20:00, në Teatrin e Tetovës, do të jepet premiera e shfaqjes “Anatomia e Revolucionit”, bazuar në veprën “13” të Mike Bartlett, nën regji të Butrint Pashës. Shfaqja do të jepet edhe më 11 dhe 12 qershor, shkruan Portalb.mk.

Drejtori i Teatrit të Tetovës Hasim Memishi Sopi, në një press konferencë për media tha se ka qenë një proces jashtëzakonisht i lodhshëm dhe i gjatë por beson se ia kanë arritur qëllimit.

“Shfaqja do jepet tre net radhazi të martën, të mërkurën dhe të enjten , për shkak se shfaqja është kamertale dhe publiku do të jetë me numër të kufizuar rë ulëseve, sepse e gjithë shfaqja do të ndodhë në skenë, edhe publiku edhe aktorët do të jenë në skenë”, tha Memishi Sopi.

Regjisori nga Kosova, Butrint Pasha tha se është kënaqësi e veçantë me qenë në Tetovë dhe të punohet në një projekt goxha ambicioz, me ansamblin e këtij teatri.

“Mesazhin që e kemi pasur për qëllim me përçuar përmes kësaj shfaqje, audienca e pranishme në premierë dhe në ditët e tjera që do shfaqet repriza e shfaqjes, do ta ndjejnë, do ta kuptojnë dhe do të mund të bëhet pjesë e jetës së tyre të përditshme, ngase shfaqja flet për revolucion, flet për nevojën për ndryshim, flet për veprimin si ndodhi jo vetëm si gjest”, tha Pasha.

Kompozitori i shfaqjes Adhurim Grezda tha se muzika do të interpretohet live me kastin e shfaqjes.

“Kemi arritur të krijojmë një ansambël kamertal muzikor, që përpos këngëve që janë të përzgjedhura ekstra për shfaqen, do ketë edhe efekte të tjera që bëjnë pjesë e emocioneve të skenës”, tha Grezda.

Shfaqja pritet të ketë rrugëtimin e saj edhe në festivalet prestigjioze si në vend ashtu edhe jashtë vendit.

Kjo dramë shtron një pyetje të ngutshme dhe shqetësuese: Çfarë do të mund të ndodh pas hedhjes së bombës atomike, jo vetëm si armë, por si ide?

“Anatomia e Revolucionit” shqyrton peshën ekzistenciale të shkatërrimit, fuqinë e pranisë njerëzore, dhe tensionin filozofik mes qenies dhe asgjësë. Bomba atomike shfaqet si një forcë simbolike në rrëfim, ku ajo është një prani psikologjike dhe emocionale, një metaforë për një kërcënim të vazhdueshëm që ekziston në mendjet dhe ëndrrat e personazheve.

Drama vë në pikëpyetje ideologjitë dominonte-kapitalizmin, racionalizmin dhe marksizmin-duke ekspozuar kufizimet e tyre në arritjen e një lirie të vërtetë njerëzore.

Në shfaqje luajnë aktorët: Adrian Aziri, Linda Shabani, Arsim Kaleci, Elmir Sejfullai, Arta Zejneli,Blerim Ismani, Mona Mustafa, Sanije Bekteshi, Burhan Amiti, Sheqerie Iljazi, Merita Limani, Altrim Mamuti, Berat Saliu, Bekim Smaili, Sami Mustafa, Jetmir Arifi, Shpresa Hashimi, Bekim Jahiu, Mia Katarxhieva, Andi Aliji dhe Ermal Çanga.