Nesër do të mbahet koncert i madh në platonë e UKM-së: Hitet e vjetra në interpretim modern me rastin e ditës së evropës

Shkupi nesër do të jetë nikoqir i një spektakli unik muzikor. Duke filluar nga ora 20:00, platoja para UKM-së do të shndërrohet në skenë muzikore me rastin e ngjarjeve rreth Ditës së Evropës, përkatësisht koncertit të organizuar nga Europe House nën titullin “Sesioni i majit – Kalo të dëgjohemi”, transmeton Portalb.mk.

“Kjo mbrëmje muzikore do të ofrojë një udhëtim të paharrueshëm nëpër kohë, ku hitet e vjetra do të fitojnë një interpretim të freskët dhe modern, nëpërmjet performancave të grupeve të reja aktuale si Funk Shui, Pijan Slavej, Dina Jashari, Sethstat feat. Maria Kaeva dhe Retro Cabaret. DJ Goce & LD Pistolero do të ofrojnë argëtim shtesë”, njoftojnë nga Europe House.

Koncerti do të mbahet nga radio prezantuesi Dragan B. Kostiq, i cili gjatë koncertit, do të prezantojë aranzhimet e reja të hiteve të vjetra nga këngëtarë të famshëm si, Leb i Sol, Erzana Berisha, Blla Blla Blla, Dragan Karanfilovski Boys, Erzana, Nina Spirova e shumë të tjerë, kurse publiku do të ketë mundësinë të shijojë një përvojë të jashtëzakonshme multimediale.

Duke filluar nga ora 18:00, mysafirët do të kenë mundësinë të vizitojnë edhe panairin e librit, pop-up dyqanet për disqe vinyl dhe seksionin gastronomik, të cilat do të jenë pjesë e ngjarjes dhe do të shërbejnë si hyrje dhe parapërgatitje për ngjarjen kryesore që do të fillojë në orën 20:00.

Organizatorët ju premtojnë mbrëmje të mbushur me kulturë dhe argëtim: “Qëllimi i kësaj ngjarjeje është të kthehemi në kohë dhe të kujtojmë meloditë e bukura të së shkuarës nëpërmjet interpretimeve në stile të ndryshme” – deklarojnë nga Europe House. “Kjo është një mundësi që nuk duhet humbur. Ejani nesër në platonë e UKM-it, që së bashku të shijojmë muzikën dhe shkrirjen e së vjetrës me të renë. Ju presim!” – shtojnë organizatorët.