Sot dhe nesër regjim i posaçëm i komunikacionit në Shkup

Ministria për Punë të Brendshme në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar që sikurse dje, edhe sot dhe nesër do të ketë kufizime nëpër disa rrugë të Shkupit, transmeton Portalb.mk.

“Në datat 12, 13 dhe 14.06.2024 (e mërkurë, e enjte dhe e premte, SPB Shkup – Njësiti për siguri në komunikacionin rrugor do të ndërmarrë masa për regjim të posaçëm të komunikacionit në zonën më të gjerë qendrore të Qytetit të Shkupit”, njoftoi Policia.

Policia sqaroi që kufizimet janë për shkak të mbajtjes së takimit ministror në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (PCSEE) dhe Samitit të shefave të shteteve dhe qeverive në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska, ka paralajmëruar aktivitetet të ndryshme për sot në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Aty përfshihet edhe konferenca e presidentes Siljanovska, homologut shqiptarë Bajram Begaj dhe homologut malazez Jakov Milatoviq.

Presidenca sqaroi që në Samit pritet të marrë pjesë: Bajram Begaj (Shqipëri), Denis Beqiroviq (Bosnje e Hercegovinë), Vjosa Osmani (Kosovë), Jakov Milatoviq (Mali i Zi), Jorgos Gerapetritis (Greqi), Marko Gjuriq (Serbi), Hakan Fidan (Turqi), Ivan Kondov (Bullgari), Sergej Mihov (Moldavi), Daniela Gitman (Rumani), Gregor Presker (Slloveni), Nives Tiganj (Kroaci), Marko Makovec (BE), Majlina Bregu (Këshilli për bashkëpunim rajonal) dhe Ana Veziroglu (Komisioni Evropian).