Nëse ne nuk e mbarojmë luftën, lufta do të na mbarojë ne

Lufta për territore e burime, për shkaqe fetare, racore, ideologjike, kultorore, por edhe për shkaqe sedrash të sëmura të sundimtarëve satrapë, e ka shoqëruar njerëzimin që nga zanafilla dhe do ta shoqërojë gjer në ditën e apokalipsit. Jo rastësisht, Albert Ajnshtajni tha: Sa të ketë njerëz do të ketë edhe luftëra. Kurse një urtar tjetër ia vuri pikën sëmundjes së tmerrshme politiko-shoqërore, duke na e bërë me dije, se: Nëse ne nuk e mbarojmë luftën, lufta do të na mbarojë ne.

Shumëkush e konsideron luftën vazhdim të politikës me mjete të dhunës, por ka dhe të tillë që atë e shohin si pasojë e degjenerimit të politikës në hegjemoni që synon nënshtrimin e dhunshëm të një populli a shteti, pa çarë kokën për humbjet e jetëve njerëzore dhe mjerimin që mbetet pas saj.

Këtë vaki e sqaron sot pushtimi i egër i Ukrainës nga Rusia, e cila  ka 150 milion banorë dhe shtrihet në një të tetën e pjesës së banueshme të sipërfaqes së globit, kurse 7 pjesët tjera popullohen nga 8 miliardë njerëz të etnive të tjera.

Kjo e dhënë e bën të pakuptueshme të vërtetën përse të fortit, që kanë gjithçka me shumicë, janë ata që nisin luftërat, kur dihet se ato sjellin vetëm katastrofa. Kjo na shpie tek e vërteta se luftërat nuk i nxisin popujt, por prijësit piromanë, të cilët nuk i zgjidhin problemet me mjete diplomatike, po me luftëra gjenocidale, që, bashkë me popujt e sulmuar, marrin më qafë edhe sulmuesit. Jo rastësisht historia rrëfen se, për shkak të mungesës së politikës së duhur, shumë luftëra të fituara kanë përfunduar me humbje.

Po përmendim në vijim vetëm disa prijës shtetesh që kanë shkaktuar fatkeqësira të paimagjinueshme nga mendja e shëndoshë, qoqtë në luftërat brenda sojit, qoftë në kacafytjet me të tjerët.

Prijësi i Etiopisë, Mengistu Haile Mariami, gjatë viteve 1974-1991, vrau mijëra njerëz të pafajshëm, me trupat e të cilëve ushqeheshin hienat. Udhëheqësi koreanoverior Kim Il Sungu vrau pamëshirshëm mbi 1.6 milionë bashkëvendës. Pol Poti vrau një të pestën e popullsisë kamboxhiane. Prijësi i Turqve të Rinj, Ismail Enver Pasha, morri më qafë 2.5 milionë njerëz. Kryeministri dhe gjenerali i ushtrisë së Perandosisë japoneze Hideki Tojo, gjatë Luftës së Dytë Botërore, çoi në vdekje 5 milionë japonezë. Numri i të vrarëve nga mbreti belg, Leopoldi II, i njohur si kolonizator i Kongos, sillet nga 2-15 milionë  njërëz. Diktatori gjerman Adolf Hitleri, nga viti 1934-1945 vrau 17 milionë civilë. Mes viteve 1922-1953, Josif Visarionoviq Stalini vrau 23 milionë njerëz, gjysma e të cilëve ishin ukrainas. Udhëheqësi i komunizmit kinez, Mao Ce Duni, nga viti 1949-1976 vrau 49-78 milion njerëz.

Mjerisht, vrasje civilësh të pafajshëm dhe gjenocide të lemerishme bëri edhe Kasapi i Ballkanit, pinjollët e të cilit tentojnë t’i përsërisin në vigjilje të çerekut të dytë të shekullit XXI, të inspiruar nga luftërat aktuale në Evropë dhe në Lindjen e Mesme, ku, përveç mbrojtësve të lirisë, lënë kokat edhe mijëra ushtarë të vendeve sulmuese, të detyruar të luftojnë për territoret që nuk janë të tyre.

Më e keqja është se luftërat në fjalë mund të metastazojnë në konflikt botëror, për të cilin Ajnshtajni pati thënë: Nuk e di me çfarë armësh do të luftohet në Luftën e Tretë Botërore, por Lufta e Katërt Botërore do të luftohet me gurë e shkopinj.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.