Nëse keni një kompjuter me procesor AMD duhet të përditësoni sa më parë

Nëse kompjuteri juaj ka një procesor AMD, është momenti të instaloni sa më parë përditësimin e fundit të sigurisë. Një dobësi sigurie e cila ka ekzistuar në procesorët AMD prej dy dekadash mund të ekspozojë kompjuterët në mbarë botën përballë maluerëve të paidentifikueshëm, transmeton PCWorld.

Megjithatë AMD ka filluar dërgimin e përditësimeve që e adresojnë atë. Zbuluar në Def Con 2024 nga hulumtuesit e sigurisë Enrique Nissim dhe Krzystof Okupski, problemi i sigurisë ju jep mundësinë hakerëve të hyjnë në sisteme (System Management Mode) duke kapërcyer të gjitha mbrojtjen ekzistuese.

Nëse shfrytëzohet, malueri i instaluar përmes tij është efektivisht i paidentifikueshëm sepse asnjë antivirus apo mjet kundër maluerit nuk është në gjendje të identifikojë kodin e dëmshëm në thellësi të një procesori.

SMM është një prej modaliteteve më të thella të operimit të një procesori dhe përdoret nga BIOS/UEFI për kontroll të energjisë dhe harduerit. Duke qenë se procesori është në zemër të kompjuterit, malueri përmes tij mund të qaset në komponentë të tjerë jetikë.

Procesorët e prekur nga problemi i sigurisë dhe që do të përditësohen janë:

  • AMD EPYC Gjenerata 1, 2, 3, 4
  • AMD EPYC 3000, 7002, 9003, R1000, R2000, 5000 dhe 7000
  • Ryzen Embedded V1000, V2000, V3000, Ryzen 3000, 5000, 4000, 7000 dhe 8000
  • Ryzen 3000 Mobile, 5000 Mobile, 7000 Mobile
  • Ryzen Threadripper 3000 dhe 7000
  • AMD Threadripper PRO
  • AMD Athlon 3000 series Mobile
  • AMD Instinct MI300A

Është një listë që mbulon të gjithë procesorët AMD të dekadës së fundit. Sa i takon dobësisë së sigurisë, ka qëndruar e pazbuluar për 20 vite dhe prek shumë procesorë AMD nga kompjuterët personalë tek serverët. Procesorët e fundit Ryzen 9000 nuk janë pjesë e kësaj liste, që do të thotë se mund të jenë përditësuar përpara debutimit.