Nënsekretarja amerikane Allen: ShBA-të inkurajojnë liderët e Maqedonisë së Veriut që të respektojnë Marrëveshjen e Prespës

Nënsekretarja për Diplomaci Publike dhe Marrëdhënie me Publikun në Departamentin Amerikan të Shtetit, Elizabeth Allen, në një bisedë për SDK, thotë se SHBA-të e mbështesin Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe se janë të zhgënjyer që presidentja Gordana Siljanovska-Davkova nuk e ka përdorur emrin kushtetues Maqedonia e Veriut gjatë inaugurimit, transmeton Portalb.mk.

Nënsekretarja Allen, e cila vizitoi Shkupin këtë fundjavë, nuk dëshiron të paragjykojë se çfarë do të ndodhë nëse qeveria e re vendos të mos respektojë Marrëveshjen e Prespës.

Dje, me një vizitë në Maqedoninë e Veriut, Allen përfundoi turneun e saj nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor, gjatë të cilit vizitoi Bosnjën dhe Hercegovinën, Serbinë dhe Kosovën.

E pyetur se çfarë do të ndodhte nëse qeveria e re vendos të mos respektojë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, nëse dhe çfarë do të ndryshojnë Shtetet e Bashkuara në mbështetjen e tyre për RMV-në, Allen tha:

“Sigurisht që ne mbështesim Marrëveshjen e Prespës dhe u zhgënjyem kur pamë se presidentja nuk e përdori emrin e plotë dhe formal Maqedonia e Veriut. Ne do të shikojmë se çfarë do të bëjë qeveria. Jemi në dialog të vazhdueshëm me qeverinë e cila është në proces të formimit. Prandaj, nuk do të paragjykoja asnjë pasojë këtu, por, natyrisht, do të shpresonim dhe do të inkurajonim që liderët e Maqedonisë së Veriut t’u përmbahen marrëveshjeve ndërkombëtare”.

Presidentja Siljanovska-Davkova nuk tha Maqedonia e Veriut por vetëm Maqedonia gjatë betimit të inaugurimit në Kuvend më 12 maj. Të nesërmen në një deklaratë nga zyra e saj thanë se ajo ka nënshkruar betimin solemn me emrin kushtetues të vendit, dhe se presidentja do t’i përmbahet aplikimit zyrtar të emrit kushtetues, por se “ka të drejtë të përdorë emrin Maqedoni në daljet e saj publike, si akt i të drejtës personale për vetëvendosje dhe vetëidentifikim”.

Më herët, ambasada e SHBA-së në vend tha se mbesin fort të përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Prespës dhe integrimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Nga ambasada thanë se pas formimit të qeverisë së re dhe zgjedhjes së kryeministrit, do të vazhdojnë të përforcojnë rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe përfitimet e përparimit të vendit me anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Mesazhe dhe kujtime për respektimin e marrëveshjes nga Prespa kanë mbërritur edhe nga Bashkimi Evropian. Nga pala greke nuk zbehen reagimet e ashpra dhe paralajmërimet se Maqedonia e Veriut nuk do të përparojë në integrimet evropiane nëse qeveria e re nuk përdor emrin kushtetues të shtetit.

Ndryshe, reagime për Marrëveshjen e Prespës nisën të vijnë, pasi presidentja e re e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska Davkova, gjatë dhënies së betimit, nuk e përdori emrin zyrtar “Maqedonia e Veriut” ashtu siç është rënë dakord me Marrëveshjen e Prespës.

Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është e një rëndësie të madhe, pasi menjëherë pas arritjes së saj Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s.