Në Trebosh u mbajt manifestimi tradicional “Takim me mërgimtarët”

Në shenjë respekti për bashkatdhetarët që gjatë verës kthehen në vendlindje, edhe këtë vit në fshatin Trebosh u organizua manifestimi tradicional “Takim me mërgimtarët”, shkruan Portalb.mk.

Aktivitetet zgjatën tri net. Gjatë dy netëve të para u zhvilluan ndeshjet eliminatore të turneut në futboll të vogël, ndërsa në natën e tretë u mbajtën finalet dhe një program i pasur kulturor e argëtues.

Vendin e parë në turne e fitoi ekipi “Euro Mermer”, vendin e dytë ekipi “Memishi Bau”, ndërsa vendi i tretë i takoi ekipit “Autoservice Cadi”. Ekipet pjesëmarrëse ishin të përbëra nga të rinj të Treboshit që jetojnë në vendlindje dhe në mërgim.

Pjesë e manifestimit ishte edhe ora letrare “Vargje mërgate në zemër të fshatit”, e organizuar nga Klubi i Letrarëve të Rinj “Jusuf Gërvalla”. Nxënësit lexuan poezi kushtuar mërgimit, vendlindjes dhe takimit me bashkatdhetarët, shumica prej të cilave ishin krijuar enkas për këtë ngjarje.

Për disa prej nxënësve kjo ishte paraqitja e parë para publikut në një manifestim të tillë. Poezitë e tyre i lexuan Suada Abduramani, Ron Zulbeari, Anita Kadrija, Albnora Rustemi, Rajana Rustemi, Dijar Selmani, Lora Ismaili dhe Suela Ahmedi. Moderatore e orës letrare ishte Azra Alija.

Foto nga manifestimi tradicional “Takim me mërgimtarët”. Foto: Muaxher Haruni
Foto nga manifestimi tradicional “Takim me mërgimtarët”. Foto: Muaxher Haruni

Programi vazhdoi me paraqitjen e grupit “Shahirat e Pollogut”, të cilët i argëtuan të pranishmit me këngë nga repertori i tyre i pasur.

Edhe këtë vit nuk munguan ushqimet tradicionale, të përgatitura nga banorët e fshatit, me të cilat u gostitën të pranishmit. Manifestimi përfundoi në një atmosferë festive, duke bashkuar banorët e Treboshit nga vendlindja dhe mërgata.