Rast i ri i dyshimtë me ethet e Nilit Perëndimor

Një rast i ri i dyshimtë me ethet e Nilit Perëndimor është evidentuar në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për një pacient 76-vjeçar nga Shkupi, me disa sëmundje shoqëruese, i hospitalizuar në Klinikën Infektive, për të cilin priten rezultatet laboratorike nga Instituti i Shëndetit Publik, transmeton Portalb.mk.

Drejtori i Klinikës Invektive, Fadil Cana tha se edhe ky rast konsiderohet i dyshimtë, por për të dëshmuar formën neuroinvazive nevojiten analiza shtesë të lëngut cerebrospinal.

Aktualisht, në Klinikën për Sëmundje Infektive janë të hospitalizuar dhjetë pacientë me virus të konfirmuar të Nilit Perëndimor. Tre prej tyre janë në gjendje kritike, të gjithë me sëmundje shoqëruese dhe mbi moshën 60-vjeçare.

Ndërkohë, në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar edhe gjashtë pacientë të cilët konsiderohen klinikisht të dyshimtë.

“Edhe pse te ata rezultatet me PCR janë negative, teknologjia PCR nuk është standardi i artë për formën neuroinvazive të virusit të Nilit Perëndimor dhe këta pacientë i nënshtrohen analizave shtesë laboratorike dhe trajtohen si pacientë me ethe të Nilit Perëndimor”, tha Cana.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri më 30 korrik 2026, në vend janë konfirmuar gjithsej 13 raste me ethet e Nilit Perëndimor.

Ethet e Nilit Perëndimor janë infeksion viral i shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Te njerëzit përcillet nëpërmjet pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Nga format e rënda të sëmundjes më të rrezikuar janë personat mbi 60 vjet, personat me sistem imunitar të dobësuar dhe personat me gjendje kronike mjekësore. Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.

Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat. Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.