Në tetor pati 16.801 shkelje të rregullave të trafikut në RMV, 121 persona u privuan nga liria për drejtim mjeti të pakujdesshëm

Në periudhën nga 01.10.2025-31.10.2025 si rezultat i kontrolleve të rregullta të trafikut të kryera nga zyrtarët e policisë nga të gjitha sektoret e punëve të brendshme në rrugët në të gjithë vendin, nga një total prej 16.801 urdhërpagesash të lëshuara, 4.821 shkelje kanë të bëjnë me shoferë që nuk e kanë respektuar kufirin e shpejtësisë së përcaktuar, transmeton Portalb.mk.

“121 persona u privuan nga liria për drejtim mjeti të pakujdesshëm në përputhje me nenin 297-a të Kodit Penal, nga të cilët 94 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, katër për drejtim mjeti nën ndikimin e drogës dhe substancave psikotrope ose prekursorëve, 15 për drejtim mjeti me shpejtësi më të lartë se shpejtësia e lejuar në zonë të banuar, tetë për drejtim mjeti me shpejtësi më të lartë se shpejtësia e lejuar jashtë një zone të banuar”, njofton MPB.

Për më tepër, sipas rishikimit statistikor të aktiviteteve policore, gjatë muajit tetor, u regjistruan 4.165 shkelje për parkim të parregullt, u vendosën 1.888 masa ndaj shoferëve që drejtonin automjet pa patentë shoferi, si dhe 373 sanksione për drejtim nën ndikimin e alkoolit.

“Nga ana tjetër, dhe në përputhje me dispozitat e Ligjit për Sigurinë në Trafikun Rrugor, u sanksionuan 111 shoferë motoçikletash për mosmbajtje të kaskës mbrojtëse, dhe u sanksionuan gjithashtu 232 këmbësorë dhe 63 shoferë trotinetësh elektrikë. U sanksionuan gjithashtu 942 pjesëmarrës në trafik që nuk përdorën rripin e sigurimit. Në përputhje me Ligjin për Automjetet, u hoqën nga trafiku 480 automjete për shkak se nuk ishin të regjistruara, dhe 176 për mosfunksionim teknik. 145 shoferë u sanksionuan gjithashtu për mospërmbushje të kushteve të përcaktuara në lidhje me errësimin e xhamave të automjeteve, ndërsa një shofer për instalim dhe përdorim të paautorizuar të pajisjeve për dhënien e sinjaleve të veçanta të dritës dhe zërit në automjete (flesherë)”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Nga MPB shtojnë se kontrollet e trafikut do të vazhdojnë në ditët në vijim, prandaj edhe u bëjnë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe rregulloret e trafikut.