Në sulmet e Izraelit gjatë natës në Gaza u vranë 12 palestinezë

Të paktën 12 palestinezë u vranë në sulmet që avionët luftarakë izraelite kryen përgjatë natës në rajonet qendrore të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, personat që humbën jetën në sulmet e kryera ndaj kampit të refugjatëve Al-Bureij në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, u dërguan në spitalin Dëshmorët e Aksasë në Deir Al-Balah.

Në sulmin ku u shënjestrua shtëpia e familjes palestineze “Al-Sous” në kampin e refugjatëve Al-Bureij, sipas të dhënave paraprake humbën jetën 8 palestinezë, përfshirë 2 fëmijë dhe 3 gra.

Ndërkohë, të paktën 4 persona humbën jetën si pasojë e bombardimit të avionëve luftarakë izraelitë ndaj familjes “Al-Hour” në kampin e refugjatëve Al-Bureij.

Po ashtu thuhet se ka të vdekur dhe të plagosur edhe nga shënjestrimi i një shtëpie nga avionët luftarakë izraelitë në veri të kampit të refugjatëve Nusseirat që ndodhet në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza në një deklaratë të bërë dje, njoftoi se në sulmet që ushtria izraelite ka kryer në Rripin e Gazës që nga 7 tetori e deri më tani, janë vrarë 36.224 palestinezë, përfshirë të paktën 15.328 fëmijë dhe 10.171 gra, ndërsa janë plagosur 81.777 palestinezë të tjerë.