Në Strugë u hap Konsullata e Shqipërisë
Sot zyrtarisht është hapur Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Strugë, raporton Portalb.mk.
Ministri i Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani tha se e vlerësojnë lartë progresin e bërë ndër vite në marrëdhëniet midis dy shteteve.
“Hapja e kësaj Konsullate që do të shtrihet përtej kufijve të këtij qyteti, duke përfshirë një zonë shumë të madhe, është një hap i natyrshëm drejt rritjes së qasjes, shërbimit dhe ndërlidhjes së komuniteteve shqiptare me shtetin amë”, tha Hasani.
Ministri i Jashtëm i RMV-së, Timço Mucunski tha se hapja e kësaj Konsullate është edhe një hallkë me vlerë në fotografinë e pasur të mozaikut në marrëdhëniet të shkëlqyera.
“Rruga e bashkëpunimit dhe dialogut dhe mbështetja e ndërsjellë është mënyra e vetme dhe më e mirë për përparimin e të gjithë rajonit”, tha Mucunski.
Konsull i përgjithshëm në Strugë është Petrit Musai.
Para ceremonisë ku morën pjesë edhe funksionarë të tjerë shtetërorë, dy ministrat patën takim tet-a-tet në Ohër dhe mëngjes të përbashkët pune.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë vendosur marrëdhënie diplomatike që nga 24 dhjetori 1993.