Në Shkup u protestua, u kërkua lirimi i menjëhershëm i Blerim Ramadanit

Të hiqet urdhëarresti dhe të lirohet menjëherë Blerim Ramadani, ushtari i UÇK-së i arrestuar në Maqedoninë e Veriut pas një fletarrest të lëshuar nga Interpoli i Serbisë, transmeton TV21.

Ata kërkuan lirimin e menjëhershëm të Blerim Ramadanit, ushtarit nga Kosova i cili është nën arrest në organet e Maqedonisë së Veriut, pasi u ndalua në kufirin e Jazhincës me një fletarrest të lëshuar nga Serbia.

Para Gjykatës në Shkup protestuan bashkëshortja, dy bijtë, familjarë të tjerë dhe pjesëtarë të Shoqatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës.

Mevludin Bajrami, pjesëtar në protestë dhe familjarë i dëshmorëve, bëri thirrje që “autoritetet në Maqedoninë e Veriut mos të bien nën diktatin e Serbisë, kundër ushtarëve të UÇK-së”.

Ramadani u ndalua më 17 korrik, në pikëkalimin kufitar në Jazhincë bazuar në një fletëarrest lëshuar nga Gjykata e Beogradit përmes Interpol Serbia.