Në RMV ka gjithsej 52.316 studentë, rënie e lehtë e numrit të studentëve të regjistruar (Infografik)

Sipas të dhënave të fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESSH) në vitin akademik 2023/2024 në institucionet e arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 52.316 studentë, transmeton Portalb.mk.

Sipas raportit numri i studentëve në këtë vit akademik është për 2,8 përqind më i ulët krahasuar me numrin e studentëve të regjistruar një vit më parë.

Pjesa më e madhe e studentëve – pothuajse 78 përqind, janë regjistruar në institucionet shtetërore të arsimit të lartë, ndërsa 22 përqind janë regjistruar në fakultete private.

Këtë vit akademik në vitin e parë të studimeve janë regjistruar gjithsej 15.330 studentë.

Numër më të madh të studentëve edhe këtë vit ka në Universitetin më të vjetër shtetëror në vend – Universitetin “Sh. Kirili dhe Metodi” në Shkup (UKM).

I dyti është Universiteti i Tetovës me 7.785 studentë, ndërsa në vendin e tretë është Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip (UGD) me 6.385 studentë.

Infografik: Meta.mk

Sipas fakulteteve disa vite me radhë numër më i madh i studentëve janë regjistruar në Fakultetin e Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FSHIIK) pranë UKM-së – gjithsej 4.722. Ky numër është më i lartë se vitin e kaluar, kur në FSHIIK kanë studiuar 4.468 studentë.

Fakulteti i dytë për nga numri i studentëve të regjistruar është Fakulteti i Shkencave Mjekësore në Universitetin e Tetovës (3.354 studentë), pastaj vjen Fakulteti i Mjekësisë në UGD (3.186) dhe Fakulteti i Mjekësisë në UKM (2.915 studentë të regjistruar).

Në mesin e pesë fakulteteve me numër më të madh të studentëve në nivel shtetëror është edhe Fakulteti i Ekonomisë në UKM në të cilin në vitin akademik 2023/2024 janë regjistruar 2.022 studentë.

Infografik: Meta.mk

Në mesin e institucioneve private të arsimit të lartë, disa vite me radhë më i preferuari është Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup, ku këtë vit janë regjistruar 2.763 studentë. Pas tij vjen Universiteti i Evropës Juglindore me 2.252 studentë të regjistruar, ndërsa në vendin e tretë është Universiteti Ndërkombëtar Sllav në Sveti Nikole.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave numri i studenteve të regjistruara është 30.704, pra studentet femra marrin pjesë me 58,7 përqind në numrin e përgjithshëm të studentëve të regjistruar në institucionet e arsimit të lartë në vitin akademik 2023/2024.

Nga numri i përgjithshëm i studentëve të regjistruar (53.821), gati 88 përqind janë studentë të rregullt, ndërsa 12 përqind janë studentë me korrespondencë.