Në prill u evidentuan pesë persona të rinj të infektuar me HIV në Maqedoni

Gjatë muajit prill, u raportuan 5 raste të reja me HIV/AIDS, nga të cilat katër ishin meshkuj dhe një femër, të moshës 20 deri në 39 vjeç, raportoi Instituti i Shëndetit Publik në buletinin e tij mujor mbi sëmundjet akute infektive për muajin prill, transmeton Portalb.mk.

“Sipas të dhënave ekzistuese të rasteve të raportuara (që nga 30.04.2026), numri kumulativ i personave të regjistruar me HIV/AIDS në Republikën e Maqedonisë, për periudhën 1987–2026, është 745, nga të cilët 140 persona janë të vdekur”, thuhet në buletin.

Në grupin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe të gjakut (duke përjashtuar HIV/AIDS), u regjistruan 7 persona të infektuar. U raportuan 3 raste të sifilisit, 3 raste të hepatitit viral B dhe një rast të hepatitit viral C.

ISHP raporton gjithashtu raste të reja të rezistencës ndaj antibiotikëve.

“Gjatë prillit 2026, në ISHP u morën 1.160 raportime për agjentë shkaktarë të izoluar dhe të provuar të sëmundjeve infektive dhe rezistencë ndaj antibiotikëve.

Agjentët shkaktarë më të raportuar në prill ishin MRSA, HPV dhe RSV.

Sipas raportimeve, rezistenca u regjistrua edhe në speciet Klebsiella dhe Enterococcus, Escherichia coli dhe Enterobacter cloacae, përveç MRSA-së”, thuhet në buletin.

Gjatë prillit, sëmundja akute infektive më e regjistruar ishte lija e dhenve me një total prej 397 rastesh të raportuara. Ato përbënin 42.4% të numrit të përgjithshëm të rasteve në muaj dhe 43.1% të grupit të dhjetë sëmundjeve infektive më të zakonshme për këtë muaj. Krahasuar me muajin e mëparshëm mars, u regjistrua një rritje në numrin e rasteve të lisë së dhenve me 12.8% dhe krahasuar me prillin, një rënie prej 31.0%.