Në mbrëmjen e katërt të “Skupifestival”, u shfaq monodrama “Nizhinski”
Mbrëmë në kuadër të Skupifestivalit u shfaq monodrama “Nizhinski”, e interpretuar nga aktori Filip Ristovski, i lindur në qytetin e Manstirit, por që jeton dhe vepron me dekada në Bukuresht të Rumanisë, ku ngjesh momente më sublime nga një ditar 200 faqesh i shkruar nga artisti Vaslav Nizhinski. Nizhinski u idolizua për rolet e tij, duke u bërë i famshëm dhe i quajtur si “Zoti i Kërcimit” nga bashkëkohësit e tij, transmeton Portalb.mk.
Vaslav Nizhinski, ishte një nga artistët më të rëndësishëm të shekullit 20-të dhe një nga balerinët më të mëdhenj në botë.
Në këtë shfaqje, Nizhinski portretizohet në momentet kur ai ishte në kufirin mes normalitetit dhe çmendurisë.
Ai revolucionarizoi baletin klasik përmes formave jokonvencionale të shprehjes, Nizhinski u idolizua për rolet e tij, duke u bërë i famshëm dhe i quajtur si “Zoti i Kërcimit ” nga bashkëkohësit e tij.
Sonte në natën e pestë, “Skupifestival” vazhdon me punëtorinë teatrore me regjisoren nga Turqia, Senem Xhehver. Kryefjala e kësaj punëtorie do të jetë interpretimin me maskë.
Ndërsa nesër e shtunë, pra në natën e fundit të Skupifestivalit, po në ora 20:00, do të shfaqet “Grimca Elementare”, me autor Majkëll Huellebek, në regji të Kris Sharkov, në interpretimin nga Teodora Duhovnikova, Zhaklin Daskallova, Dimitar Nikollov, Martin Dimitrov, Elena Ivanova, Sllavena Zajkova, Darina Radeva. Produksion i Teatri kombëtar Ivan Vazov, Sofje Bullgari.
Sipari i edicioni 18-të të Festivalit “SkupiFestival”, u hap më 14 tetor, në hapësirat e Teatrit Shqiptar-Shkup. Këtë edicion e shpalli të hapur Teatri Kombëtar i Kosovës me kryeveprën “1984”. Shfaqja që u soll në skenë nga aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Shkup flet për fuqinë, identitetin, vetminë dhe kërkimin për veten përmes kërkimit për të tjerët. Në të eksplorohet dashuria, politika, fëmijëria dhe telashet e saj. Ky këndvështrim është një satirë, e cila me kalimin e viteve është shndërruar në një roman pritjeje, një afresk metafizik, të gjallë, të frikshëm dhe prekës.
Edhe këtë vit festivalin e ndihmuan Ministria e Kulturës, Qendra për Kulturë dhe Informacion e Bullgarisë në Shkup, Telekomi i Maqedonisë.
- LEXO: Në natën e tretë të “SkupiFestival” u shfaq pjesa teatrore “Fëmijët nga pluhuri”, vepër me mbi njëqind çmime nëpër Europë e botë
- LEXO: Shfaqja “1984” hapi festivalin “SkupiFestival”, u prit me duartrokitje të ngrohta nga publiku i Shkupit
- LEXO: Me kryeveprën “1984” sonte fillon “SkupiFestival”, deri më 19 tetor do të prezantohen gjashtë projekte teatrale