Në natën e tretë të “SkupiFestival” u shfaq pjesa teatrore “Fëmijët nga pluhuri”, vepër me mbi njëqind çmime nëpër Europë e botë
Mbrëmë, në natën e tretë të Festivalit “SkupiFestival” u shfaq pjesa teatrore “Fëmijët nga pluhuri”, e prodhuar nga CIE Toula Limnaios nga Berlini i Gjermanisë. Ky produksion ka fituar më shumë se njëqind çmime nëpër Europë e botë dhe mbrëmë publiku shkupjan, pati nderin që për së afërmi ta ndjekë këtë vepër kaq të rëndësishme. Shfaqja teatrore “Fëmijët e pluhurit”, është e frymëzuar nga krijimtaria muzikore e Gustav Majer dhe i kushtohet “fëmijëve të pluhurit”, që në njëfarë mënyre jemi ne. “Fëmijët e pluhurit” kërkojnë një strehë, tokën ku këmbët e tyre qëndrojnë është e huaj për ta. Shqetësuese dhe poetike në të njëjtën kohë, njofton Portalb.mk.
Me shumë dashamirësi u mirëpit shfaqja teatrale “Fëmijët e pluhurit” një shfaqje pa zë, vetëm me lëvizje trupore, mirëpo publikun e la pa fjalë. Ekziston një pikturë nga Pol Kle e “Engjulli Ri”. Ajo përshkruan një engjëll që duket sikur do të largohet nga diçka që po e shikon, ai ndoshta nuk do të donte të zgjatej, të zgjonte të vdekurit dhe të bashkonte atë që është copëtuar. Por një stuhi fryn nga parajsa e kap për krahët e tij aq të fortë, sa engjëlli nuk mund t’i mbyllë më. Kjo stuhi e shtyn atë në mënyrë të pashmangshme drejt së ardhmes, së cilës ai ia kthen shpinën, ndërsa grumbulli i rrënojave para tij rritet drejt qiellit. E ajo që ne e quajmë progres është kjo stuhia.
Drejtori i festivalit Muzbajdin Qamili për Portalb.mk tha mos e paftë syri i keq këtë publik, ku për të tretën natë me rradhë ka qenë i stërmbushur nga artëdashësit e teatrit, me shpresë se diçka ka filluar të lëvizë nga e mira.
“Njerëzit kanë filluar ta kërkojnë atë shpirtëroren, tamam ta prekin e ta shohin. Interesim i jashtëzakonshëm ishte për shfaqjen e Kosovës dhe Bosnje- Hercegovinës. Sonte në natën e tretë patëm një shfaqje koproduksion shumë i madh Gjermano-Baraziliano-Japonez, është hera e dytë që sjellim një teatër të tillë Dance Theater. Ne jemi të kënaqur me përkrahjen që po na jep publiku, tani na paguhet ajo puna që ne bëjmë përgaditje, për dhjetë muaj për festivalin. Këto dy tre vitet e fundit “SkupiFestival” ka vërtet publik të ri, dhe kjo vlen për ta përshëndetur, por nuk është numër sa ne do donim të ishte, por edhe një numër jo i vogël, që ndoshta do jetë gjenereatë që do të bëjë ndryshime të mëdha në Kulturë”, tha drejtori i festivalit Muzbajdin Qamili.
Sonte shfaqet vepra “Nizhinski” nga Ema Nikolova, regjia Malina Andrej, Prodhuar nga L’ Amphitheatre &Oh DA! Bukuresht.
Ndërkaq nesër shfaqet Interpretimi me maskë, Punëtori teatrore me Senem Xhehver nga Turqia dhe të shtunën përmbyllet ky edicion me shfaqjen “Grimca elementare” nga Mishel Velbek, regjia Kris Sharkov, Teatri kombëtar Ivan Vazov, Sofje – Bullgari.