Në Maqedoninë e Veriut mbi 7 përqind e energjisë elektrike u prodhua nga panelet solare dhe turbinat e erës

Sasia e energjisë elektrike që vjen nga energjia e rigjenerueshme ka shënuar rritje në Maqedoninë e Veriut, duke llogaritur që 4 përqind e energjisë elektrike u prodhua nga panelet solare, ndërsa nga turbinat e erës 3.6 përqind, transmeton Portalb.mk.

Në marsin e vitit 2023 përmes paneleve solare janë prodhuar 17 079 MWh energji elektrike, ndërsa përmes turbinave të erës 10 953 MWh. Në marsin e vitit 2024 janë prodhuar 18 124 MWh nga panelet solare, ndërsa 16 290 nga turbinat e erës.

“Në mars 2024, konsumi i përgjithshëm sipas llojeve të energjisë është: 576 974 МWh energji elektrike, 22.692 mil. nm3 gaz natyror, 454 378 ton qymyr dhe 81 059 produkte nafte”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Maqedonia e Veriut në muajin mars ka pasur mundësi të prodhon vetëm 80 përqind e energjisë që e ka konsumuar.

Në këtë periudhë, në Maqedoninë e Veriut shumica e energjisë elektrike është prodhuar nga termocentralet (48.8 %), Hidrocentralet (28.8 %), termocentralet e kombinuara (14.8 %), panelet solare (4 %), centralet e erës (3.6 %) dhe biogazi (0.5 %).