Në Mal të Zi bie mbështetja për NATO-n

Mbështetja e qytetarëve për anëtarësinë e Malit të Zi në NATO është më e ulët për pothuajse 9 për qind krahasuar me marsin e vitit të kaluar, ndërsa numri i kundërshtarëve, në të njëjtën periudhë, është rritur mbi 11 për qind – këto janë rezultatet e një hulumtimi të Qendrës për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Mal të Zi (CEDEM), të kryer në shtator, raporton Radio Evropa e Lirë.

Për Aleancën Atlantike të Malit të Zi, ky është një konfirmim se elementet proruse dhe anti-NATO vazhdojnë të veprojnë brenda institucioneve dhe strukturave politike.

“Veprimet e tyre synojnë përhapjen e dyshimit, dobësimin e besimit të qytetarëve dhe relativizimin e qëllimeve strategjike të shtetit”, thonë nga kjo organizatë për Radion Evropa e Lirë.

I pyetur nga REL-i se si i komenton këto të dhëna, një zyrtar i NATO-s tha se Mali i Zi përballet me “kërcënime të vazhdueshme hibride nga aktorë rusë dhe të huaj”, por theksoi se NATO-ja vlerëson bashkëpunimin e vazhdueshëm me të.

Ndërsa, arsyet e rënies së mbështetjes në anketën e fundit, zyrtari ua referoi autoriteteve malazeze.

Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment.

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi, Dragan Samarxhiq, beson se rënia e mbështetjes për anëtarësinë në NATO është pasojë e një kombinimi kompleks të ndikimeve globale, polarizimit të brendshëm dhe dobësive të komunikimit të institucioneve shtetërore.

Mali i Zi u bë anëtar i NATO-s në qershor të vitit 2017, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), e cila e humbi pushtetin në mes të vitit 2020.

Disa nga partitë që ishin në pushtet që nga ajo kohë – kryesisht partitë proruse të Frontit Demokratik – janë kundërshtare të NATO-s.

Kryetari i tyre, Andrija Mandiq, është kryetar i Kuvendit të Malit të Zi.

Shifrat e CEDEM-it

Hulumtimi i kryer nga CEDEM-i zbuloi se 40.7% e të anketuarve mbështesin anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Shifra paraqet rënie krahasuar me marsin e vitit 2024, kur kjo mbështetje ishte 49.5%.

Përqindja e kundërshtarëve tani është 42.1, ndërsa marsin e kaluar ishte 30.7.

CEDEM ka zhvilluar anketa të ngjashme për këtë çështje që nga viti 2008.

Të dhënat e mëparshme tregojnë se, nga gjysma e vitit 2020 deri në mars 2024, shumica e të anketuarve vazhdimisht e kanë mbështetur anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Anketa e fundit u realizua nga 25 shtatori deri më 6 tetor të këtij viti me 1.006 njerëz të rritur.