Në Kuvendin e RMV-së kaloi në lexim të parë propozimi për rregullimin e lojërave të fatit
Deputetët e Kuvendit të RMV-së dhanë mbështetje unanime në leximin e parë të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për komunikime elektronike, i cili i qaset rregullimit të lojërave të fatit online dhe sanksionimit të kepërdorimeve, transmeton Portalb.mk.
Në seancën e 34-të të Kuvendit, ku ishte në rend dite kjo pikë, ministri për transformim digjital, Stefan Andonovski, dha shpjegime për ndryshimet e propozuara ligjore. Ai theksoi se qëllimi kryesor është parandalimi i lojërave të paligjshme të fatit dhe mbrojtja e qytetarëve nga abuzimet dhe keqpërdorimet financiare.
“Ndryshimet e këtij ligji do të na mundësojnë neve si Ministri që të merremi me këto çështje në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Agjencinë për Komunikime Elektronike”, tha Andonovski.
Ai shpjegoi se pas marrjes së njoftimit nga organizatori shtetëror i lojërave të fatit për të cilët ofruesit nuk kanë marrë licencë për organizimin e lojërave të fatit online dhe pas verifikimit nga Ministria e Financave se për cilat subjekte u është dhënë licenca, Ministria e Transformimit Digjital do t’i dërgojë urdhër Agjencisë për Komunikime Elektronike për t’i ndërprerë të drejtën e qasjes në këta ofrues, gjegjësisht ueb-sajte.
Në këtë mënyrë qytetarëve nga Maqedonia do t’u ndalohet qasja në to.
Kujtojmë se kompania për organizimin e lojërave të fatit online “Megawin” duhej të mbyllej në një prej seancave të Qeverisë në shtator të vitit 2024, kjo sipas deklaratave të zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti. Por, pesë muaj nga ky premtim, kjo kompani vazhdon të funksionojë normalisht dhe pa asnjë pengesë. Të pyetur nga Portalb.mk, Qeveria thotë se është proces kompleks dhe se kërkon analizë të detajuar pa specifikuar nëse do të mbyllet.
Qeveria e RMV-së më 24 shtator 2024 vendosi për ndërprerjen e vlefshmërisë së licencave jolegale për kazinot online, me këtë edhe ndalimin e bixhozit online në shtet për disa kompani: NOVO VLT SHPK- Shkup, MOZZART SHPK Shkup, 77 BITS SHPK Shkup, VEZUV SHPK Shkup dhe 2Win.mk. “MegaWin” është kompania e vetme aktive për bixhoz online në Maqedoninë e Veriut.