Në Ferizaj takohen drejtuesit e teatrove shqiptare për të folur për bashkëpunime e bashkëprodhime

Nga 1 deri më 6 shtator, Ferizaji do të realizojë edicioni e 54- të me radhë të festivalit të teatrove që është më me traditë në hapësirat shqiptare. Pritet që në këtë festival të marrin pjesë dhe shfaqje nga Maqedonia e Veriut. Në këtë edicion përveç performancave të trupave artistike do të ketë dhe debate në të cilat do të diskutohet e ardhmja e përbashkët e teatrit shqiptar, njofton Portalb.mk.

Më datë 4 Shtator me fillim në orën 17:00 “Teatri Adriana” do të jetë nikoqire e disa drejtuesve të teatrove në hapësirat shqiptare. ‘’Modalitetet e mobilitetit të teatrove shqiptare’’ është tema e panelistëve të cilët do të diskutojnë për mundësinë që shfaqjet të jenë mobile, gjegjësisht të shëtisin në hapësirat shqiptare dhe njëkohësisht të flitet për bashkëprodhime shfaqjesh teatrore.

Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës Kushtrim Sheremeti, drejtori i Teatrit të Gostivarit Sulejman Rushiti, drejtori i Teatrit të Gjilanit Erson Zymberi, drejtoresha e teatrit të Gjakovës Albulena Kryeziu – Bokshi, drejtoresha e Teatrit të Podujevës Elhame Kutllovci, drejtori i Qendrës Multimedia Jeton Neziraj, drejtor i Teatrit të Ferizajit Fatmir Hyseni, drejtori i Teatrit të Prizrenit Burim Mustafa dhe drejtori i Teatrit të Tetovës Abdullah Osmani.

Marrëveshja ende e pa miratuar ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë, për bashkëprodhime teatrore dhe mobilitet të shfaqjeve të të gjitha teatrove shqiptare, ka ngjallur shpresë te komuniteti teatror shqiptar. Modalitetet e bashkëprodhimit dhe mobilitetit ende janë pjesë e diskutimeve, ideve dhe debateve brenda komunitetit.