Në aeroportin e Shkupit janë sekuestruar “iPhone” në vlerë prej 1.8 milionë denarë

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit janë sekuestruar gjithsej 21 telefona celularë iPhone 15 Pro me vlerë të përgjithshme prej një milion denarë. Drejtoria doganore informon se telefonat celularë janë zbuluar pas kontrollit të detajuar të mallit të deklaruar për doganim importues. Telefonat janë gjetur gjatë kontrollit të detajuar fizik të një dërgese nga Dubai, e cila ishte dedikuar për një kompani nga Shkupi, transmeton Portalb.mk.

Gjithashtu, sipas Drejtorisë doganore, janë konfiskuar edhe 11 telefona celularë iPhone 15 Pro në vlerë prej 799 mijë denarë dhe një tabletë. Këta telefona dhe tabletë, thuhet në njoftimin e Drejtorisë doganore, janë konfiskuar në qarkullimin e udhëtarëve, pasi një pasagjer që udhëtonte nga Stambolli nuk i ka deklaruar në hyrje të vendit. Është përzgjedhur për kontroll me rreze X, ku në disa valixhet mes rrobave janë zbuluar celularë dhe një tabletë.

Përveç telefonave celularë, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit për doganim të deklaruar për import përkohësishtë janë ndaluar 883 kufje bluetooth dhe 1.048 mbulesa të pasme për celular me logon e Apple, për të cilat është nisur procedura për shkelje të së drejtës së pronës intelektuale.

“Njëlloj si rasti i parë, bëhet fjalë për një dërgesë nga Dubai, për të cilën është dorëzuar një deklaratë doganore importi për kufjet e zakonshme Bluetooth dhe mbulesat e pasme të celularit. Çmimi i parashikuar me pakicë për këto produkte nëse shiten origjinale është 220 mijë euro”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Përveç konfiskimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, Dogana informon edhe se në njësinë doganore Gjevgjeli, gjatë kontrollit të mallit për zhdoganim importues, janë zbuluar 1.920 karikues për celularë Samsung, të cilët nuk ishin të përfshirë në deklaratën importuese.

Vlera e përgjithshme e parashikuar e mallit të padeklaruar është 374 mijë denarë me origjinë nga Kina dhe i dedikuar për një kompani nga Shkupi.

Nga Drejtoria doganore thonë se ngarkuesit janë konfiskuar, ndaj importuesit është iniciuar procedurë kundërvajtëse, si dhe po zhvillohet procedurë për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.