Në 15 ditë, gati 25.000 refugjatë sirianë nga Turqia u kthyen në shtëpi
Më shumë se 25,000 refugjatë sirianë janë kthyer në Siri përmes kufirit turk në dy javët e fundit, tha sot (24 dhjetor) ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Autoritetet turke thanë paraprakisht se midis 9 dhe 13 dhjetorit, 7621 sirianë u kthyen në atdheun e tyre pas rënies së regjimit të Bashar al-Asad.
“Rreth 2,92 milionë sirianë që ikën nga lufta jetojnë ende në Turqi, e cila ndan një kufi 900 kilometra me Sirinë”, tha Yerlikaya për agjencinë shtetërore të lajmeve Anadolu.
Midis tyre, më shumë se 500,000 sirianë jetojnë në Stamboll, qyteti më i madh në Turqi, shtoi ministri.
Damasku ra në duart e Hajar Tahrir al-Sham dhe aleatëve të tij më 8 dhjetor. Rusia ka kryer dhjetëra sulme ajrore që kur militantët nisën ofensivën e tyre kundër forcave të Asadit në fund të nëntorit, por ndërhyrja e kufizuar e Moskës ka bërë pak për të ndaluar përparimin e rebelëve.
Rënia e qeverisë së Bashar al-Assad në duart e rebelëve, duke përfshirë fraksionet e mbështetura nga Ankaraja, e bëri Turqinë në fakt aktorin e huaj dominues në Siri në kurriz të Iranit dhe aleatit të tij Rusisë.