Ndërroi jetë 42 vjeçari me biçikletë, pasi u godit nga vetura

Qytetari i Maqedonisë së Veriut i cili po lëvizte me biçikletë, ka ndërruar jetë pasi është goditur nga 54 vjeçari me veturë, transmeton Portalb.mk.

“Në Stacionin Policor në Prilep u raportua se në rrugën “Aleksandri i Maqedonisë” në Prilep, një veturë “Volkswagen”, me tabela të Prilepit, e drejtuar nga 54 vjeçari R.P. nga Prilepi, ka goditur biçikletën e drejtuar nga 42 vjeçari A.C. nga Prilepi”, raportoi Policia e Maqedonisë së Veriut.

Vdekja ishte konfirmuar nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore, ndërsa hetimet janë kryer nga policia dhe prokurori publik, i cili dha urdhër për kryerjen e obduksionit, sikurse edhe për aksidentin në Resnje.

Në orët e para të mëngjesit, në Stacionin Policor në Resnje është raportuar që në këtë rajon ka humbur kontrollin vetura “Mercedes”, dhe si rezultat i saj ka ndërruar jetë shoferi 45 vjeçar A.R. nga Resnja.