Ndërprerja e rrymës dhe votimi me stilolapsa të zinj janë disa nga parregullësitë e raportuara në Bërvenicë
Në Bërvenicë, zgjedhjet u zhvilluan me disa pengesa të vogla, ndërsa në disa vendvotime raportohet se është votuar për një kohë të shkurtër me stilolapsa të zinj. Kështu deklaroi Nedime Sallai, kryetare e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, e cila tha se këto raste do të verifikohen gjatë mbledhjes së rezultateve, transmeton Portalb.mk.
Sa i përket ndërprerjes së energjisë elektrike, Sallai tha se ajo zgjati rreth 15 minuta, por nuk shkaktoi ndërprerje të procesit zgjedhor.
“Ndërprerja e rrymës ka ndodhur në kohën kur unë kam qenë në fshatin Çellopek, nuk ka pasur ndërprerje të procesit zgjedhor, vetëm 15 min. Ndërsa sa i përket stilolapsave, ka në një vendvotim. Thuhet se është votuar një kohë të shkurtër, stilografa të zi ka pasur në disa vendvotime, mirëpo këto do t’i vërtetojmë gjatë mbledhjes së rezultateve dhe këshillat zgjedhor do të përgjigjen për këtë rast”, tha Sallai.
Ajo shtoi se pengesat e evidentuara janë paraqitur në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), ndërsa për rastet e përdorimit të stilolapsave të zinj pritet të japin përgjigje këshillat zgjedhorë.
“Zgjedhjet janë zhvilluar me disa pengesa të vogla, të cilat i kemi paraqitur në KSHZ dhe ato pengesa Këshillat zgjedhor i kanë paraqitur te Këshillat komunal zgjedhor”, theksoi ajo.
Sot në Bërvenicë po mbahen rrethi i dytë i zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Zgjedhjet për kryetar të ri të komunës mbahen pasi në qershor ndërroi jetë kryetari i komunës, Jovica Ilievski.