Muzeu i Krujës me rekord të vizitave sivjet, priten 100.000 vizitorë

Vitin që shkoi Muzeu i Krujës pati rritje në vizita, duke iu përafruar shifrës së vitit 2019, më saktë vjet u regjistruan diku 8.500 vizitorë për diku 4 muaj. Ndërkaq, sivjet pritet të arrihet shifra prej 100.000 vizitorësh, shifër kjo më e larta e regjistruar ndonjëherë në Muzeun e Krujës që ngelet një nga muzerat më të vizituara në vend, njofton për Portalb.mk përgjegjësi i këtij muzeu, Klodian Loka.

Muzeu i Krujës
Muzeu i Krujës

Grumbuj turistësh gjeje në çdo hapësirë të Muzeut të Krujës, me një ciceron që sqaron historikun e secilit material të ekspozuar aty, bashkë me historikun e heroit legjendar për nderë të të cilit është ngritur ky muze, Gjergj Kastriotit. Miti evropian Gjergj Kastrioti qe frymëzimi më i madh për shumë shkrimtarë, piktorë, kompozitorë e artistë të përbotshëm. Është edhe një dëshirë e madhe për të parë kalanë e tij të famshme e cila ndodhet në një pozicion shumë strategjik dhe e cila ngjall një interes të jashtëzakonshëm për turistët, duke tubuar brenda ditës shifra rekord që sillen rreth 300- 500 deri në 1000 vizita në ditë verës, që shkojnë duke u rralluar kur ftohet koha, deri në 300 vizita në ditë, që sërish është një numër i lartë marrë në konsideratë që është një nga muzerat më të vizituar në hapësirat shqiptare e më gjerë.

Muzeu i Krujës
Muzeu i Krujës

“Punoj këtu që nga viti 2005, shoh me kënaqësi  se nga viti në vit ka një trend rritës të numrit të vizitorëve. Këtë vit ne parashikojmë që vetëm në Muzeun Gjergj Kastrioti  t’i afrohemi shifrës 100.000 vizitorë. Është padyshim muzeu më i frekuentuar në Shqipëri sa i përket muzeve. Qendra muzeore përfshin dy muzera, ku përket dhe ai etnografik, ku fatkeqësisht për shkak të tërmetit të katër viteve më parë është në proces restaurimi dhe shpresojmë të hapet në fund të muajit shtator, sepse edhe ai ka vlera të jashtëzakonshme, është një pasuri e jashtëzakonshme dhe është shumë i pëlqyer nga turistët vendas e të huaj, kryesisht të huaj dhe ngarkesa në shtim ka ardhur në Muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu, po themi një pjesë e kalasë së Krujës është në proces restaurimi, Kulla e Sahatit, Muzeu Etnografik e ca pjesë tjera. Por, ne e kemi përballuar me sukses këtë fluks turistësh që siç thash ka shifra optimiste” – thotë për Portalbin përgjegjësi i këtij muzeu Klodian Loka. Në kohën që po flasim dhe e regjistrojmë bisedën me përgjegjësin shihet një fluks i madh njerëzish, turistë që flasin spanjisht, anglisht e gjuhë tjera që mezi i shquajmë. Shohim njerëz që përpiqen t’u japin informacione dhe vetvetiu të vjen të pyesësh nëse stafi mjafton për t’i dalë në krye këtij fluksi të madh turistësh, Loka përgjigjet:” momentalisht, nëse e patë kolegu po shpjegon për grupet spanjolle, ne i organizojmë ato në grupe, zakonisht nga dymbëdhjetë dhe i drejtojmë më lehtë.

Muzeu i Krujës
Muzeu i Krujës

Çdo ditë qëndrojnë të hapur, janë zgjatur dhe oraret për ta përballuar numrin e vizitorëve, duke filluar çdo ditë nga ora 9 deri në 6 të mbrëmjes.

Çmimet e biletave janë siç vijon:

  • Biletë për turistët vendas dhe të huaj- 500 lekë
  • Biletë grup +12 – 400 lekë
  • Biletë e reduktuar -50% 250 lekë
  • Biletë për fëmijë- 12-18 vjeç dhe studentë 150 lekë
  • Biletë fëmijë- 0-12 vjeç – Hyrja falas

 

Turistët, shumica vinin të impresionuar nga historitë e lavdishme të Gjergj Kastriotit. Sivjet, më shumë kanë dominuar spanjollët, sipas përgjegjësit Loka, por nuk mungojnë holandezë, gjermanë, italianë, anglez e të tjerë. Sigurisht, nuk i konsideronin turistë shqiptarët që vinin si në shtëpinë e vet në këtë muze, nga Kosova dhe si puna jonë nga Maqedonia e nga vendi. Në bisedë e sipër, përgjegjësit Loka i kishte bërë përshtypje se nxënësit shqiptar nga Maqedonia janë më të vëmendshmit dhe më të interesuarit kur shkojnë për të parë muzeun. Sipas tij, kanë më shumë interes dhe informacion për historinë shqiptare, veçanërisht kureshtarë për jetën e heroit Gjergj Kastrioti.

Muzeu i Krujës
Muzeu i Krujës

Rreth aktivitetit të  Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti” Krujë sipas faqes zyrtare

Përurimi i muzeut është bërë më 1 nëntor 1982. Muzeu u ndërtua në Kalanë e Krujës, si kryeqendra e shtetit të Arbërit dhe personifikimi i disfatës së ushtrive osmane, për tri herë rresht, në shek. XV. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali, që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale dhe riprodhime autentike, që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Aty numërohen pavijone të tilla si: pavijoni i antikitetit dhe mesjetës së hershme, pavijoni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavijoni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavijoni i trashëgimisë dhe i jehonës. Në këto pavijone janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronzi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, kambana e vitit 1462, shpata origjinale të shek. XV etj.