Mustafa Imeri: Kualiteti sjell fansat, ndërsa meritat në fund i merr artisti

Ka zëra që këndojnë… dhe ka zëra që nuk harrohen. Në mesin e shumë emrave që vijnë e ikin, Mustafa Imeri është një nga ata tenorë që e mbajnë peshën e skenës në çdo notë. Zëri i tij nuk është thjesht interpretim është disiplinë, është shkollë, është emocioni që të detyron të ndalesh e të dëgjosh. Për vite me radhë, ai ka qenë ndër figurat më të njohura të vokalit në hapësirën shqiptare, duke e bërë muzikën klasike të tingëllojë jo si diçka e largët, por si kulturë që të prek dhe të mbetet. Me një stil të veçantë interpretimi dhe një identitet të qartë artistik, Imeri ka ndërtuar një rrugëtim ku artisti nuk bëhet me fat, por me sakrificë. Në intervistë për Portalb.mk, tenori flet për rrënjët e tij artistike, sfidat, muzikën si mision dhe përgjegjësinë e të qenit zë i një tradite që kërkon jo vetëm talent, por karakter. Ndërkohë, sot Mustafa Imeri mban edhe një rol të ri: ai është emëruar drejtor i Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut.

Portalb.mk: Prej shumë vitesh je pjesë e skenës muzikore shqiptare. Si e sheh sot rrugëtimin tënd artistik?

Mustafa Imeri: Po, fakt është se jam gjatë në skenë dhe në kulturë, por emërimi im si drejtori i parë shqiptar, pas 80 vitesh nga themelimi i Filharmonisë së Maqedonisë, pa modesti mund të them se rrugëtimi im artistik dhe profesional po i jeton ditët më të mira të karrierës.

Portalb.mk: A është më e vështirë sot të bësh një këngë që mbetet gjatë, në kohën e klikimeve të shpejta?

Mustafa Imeri: Muzika është shndërruar në biznes dhe klikimet janë pjesë e këtij realiteti, ndërsa kënga e mirë jeton gjatë.

Portalb.mk: Cila ka qenë periudha më sfiduese e karrierës tënde dhe çfarë ke mësuar prej saj?

Mustafa Imeri: Që nga momenti kur jam ngjitur në skenë e deri më sot, rrugëtimi im ka qenë i mbushur me sfida. Jam njeri që e do ndryshimin dhe ballafaqohem me sfidat, gjë që më ka ndihmuar të ec përpara dhe të mësoj shumë. Por çdo herë që bie, ngrihem edhe më i fortë.

Foto nga arkivi personal i Mustafa Imerit. Foto: Mustafa Imeri
Foto nga arkivi personal i Mustafa Imerit. Foto: Mustafa Imeri

Portalb.mk: Si e sheh sot muzikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut krahasuar me Kosovën dhe Shqipërinë?

Mustafa Imeri: Kosova dhe Shqipëria nuk krahasohen me ne; janë shumë përpara për fat të mirë për ta dhe për fat të keq për ne. Ata investojnë shumë dhe ky investim u kthehet më pas.

Portalb.mk: Si ka ndryshuar publiku shqiptar ndër vite, në shije dhe pritshmëri?

Mustafa Imeri: Nuk mund të them se ka ndryshuar publiku, por kanë ndryshuar gjeneratat, dhe kjo është krejtësisht normale. Ka shije të ndryshme, por, pa dyshim, këngët e mira këndohen gjithmonë.

Portalb.mk: A mendon se artistët shqiptarë nga Maqedonia marrin vlerësimin që meritojnë?

Mustafa Imeri: Kjo lidhet me pyetjen e mëparshme: Pa investime nuk ka kualitet. Kualiteti sjell fansat, ndërsa meritat në fund i merr vetë artisti. Kjo është një zinxhir i natyrshëm.

Portalb.mk: Çfarë ka ndryshuar më shumë te ti me kalimin e viteve: zëri apo qasja ndaj muzikës?

Mustafa Imeri: Mund të them se kanë ndryshuar të dyja. Jam pjekur si vokal dhe kam zë sa të dëshirosh, ndërsa qasja ndaj muzikës nuk ka ndryshuar shumë, por i jam përkushtuar edhe më tepër profesionit.

Portalb.mk: A mendon se vokali i fuqishëm po mbetet në hije përballë trendit? A është publiku sot më kërkues apo më i shpërqendruar?

Mustafa Imeri: Që prej fillimit të showbiz-it në muzikë, vokalet e fuqishme kanë mbetur disi në hije jo të gjitha, sigurisht. Kjo varet shumë nga menaxhmenti i këngëtarit. Ndërsa publiku merr atë që i servohet; është çështje shijesh.

Portalb.mk: Çfarë projekte po përgatit aktualisht këngë të reja, bashkëpunime?

Mustafa Imeri: Aktualisht kemi realizuar një projekt live me muzikë popullore me kolegët e mi nga Violina Band Mentorin, Dritonin dhe Artanin për fundvit. Besoj se vitin e ardhshëm do të ketë edhe një këngë solo.

Portalb.mk: Një mesazh për publikun që e dëgjon zërin tënd prej vitesh.

Mustafa Imeri: Uroj shëndet dhe mbarësi në shtëpitë e të gjithëve, shumë muzikë dhe njerëz pozitiv pranë vetes. Gëzuar vitin 2026!

Foto nga arkivi personal i Mustafa Imerit. Foto: Mustafa Imeri
Foto nga arkivi personal i Mustafa Imerit. Foto: Mustafa Imeri